Viti 2022 për shëndetësinë e Kosovës mund të cilësohet si një vit i “sëmur”, vit që shumë kohë mbeti pa ministër të shëndetësisë, vit pa drejtorë në disa klinika të QKUK-së, vit pa barna esenciale, vit me pritje të gjata për trajtim në QKUK, vit me më pak mjek e infermierë, e shumë epitete të tjera mund t’i shtohen sektorit të shëndetësisë.
Pra, viti 2022 ishte i tillë.
Ndonëse prioritet ishte thënë të jetë shëndetësia, për Qeverinë Kurti 2, një gjë e tillë nuk po duket në praktikë.
Vetëm pak ditë para se të përmbyllet viti 2022 Kryeministri Albin Kurti emëroj Arben Vitin ministër të shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës. Pra pasi u bënë 3 muaj që vendi ishte pa ministër, ku Rifat Latifi kishte dhënë dorëheqje nga posti ministror.
Latifi në letrën e tij të dorëheqjes pati treguar se ishte i zhgënjyer nga ajo që kishte parë në shëndetësinë e Kosovës.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhej në letrën e dorëheqjes.
Por, edhe vet Latifi ishte kritikuar shumë, gjatë kohës sa ishte ne krye të ministrisë. Opozita, fajësoi atë se nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta këndellur shëndetësinë, derisa sipas tyre, ministri merrej vetëm me udhëtime.
Pas dorëheqjes së ministrit Rifat Latifi më 6 tetor të këtij viti, MSh-ja është udhëhequr nga një ministre me mandat të përkohshëm me U.d., Dr. Dafina Gexha – Bunjaku. Gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, Gexha – Bunjaku dy herë e mori pozitën e u.d. të ministres.
Pa drejtues 2023-ta do t’i gjejë edhe disa klinika në QKUK.
Pra institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë, janë duke u udhëhequr nga ushtrues detyre.
Krahas këtyre, ky sektor, u ballafaqua edhe me ikjen e mjekëve nga spitalet e institucionet publike shëndetësore, drejt atyre private dhe për më tepër, drejt migrimit e si vendi më i përshtatshëm nga ta po shihet kryesisht Gjermania.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu, muaj më parë për arbresh.info pati thënë se vetëm këtë vit 185 mjek janë larguar nga Kosova.
“Janë 185 mjek që janë larguar apo janë në procedurë të largimit. Te gjithë këta janë pajisur me dokumente adekuate nga oda të cilat ju duhet për nënshkrim kontratash me institucionet shëndetësore dhe regjistrim në odat përkatëse të shteteve gjegjëse”, pati thënë Sejdiu.
Po ashtu sipas një njoftimi të Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, thuhet se gjatë vitit 2023 mbi 1500 infermierë janë në përgatitje që do të largohen nga Kosova.
Ndërsa, situata u bë më serioze tek anesteziologët, disa nga të cilët e lanë QKUK-në për sektorin privat.
Sfidë tjetër që e përcolli shëndetësinë këtë vit, ishte edhe lista e pritjes e pacientëve për tu trajtuar në QKUK me muaj e vite për një terminë. Ndërsa, edhe këtë vit munguan barnat e listës esenciale, ku qytetarët u detyruan shpesh herë të paguajnë nga gjepi i tyre.
Për më tepër, disa që ishin të blera, u vodhën brenda barnatores së ministrisë. Kjo pati detyruar edhe organet e rendit të drejtësisë që të merren me rastin.
“Ministria e Shëndetësisë e njofton publikun se me datën 07.11.2022, në Depon Qendrore të Barnave është vërejtur mungesa e disa karrigeve që kanë qenë në Depo dhe menjëherë ka filluar verifikimi i produkteve të barnave, ku është vërejtur mungesë e një sasie të Methadonit sirup, sasi prej 90 copë, Tramadol ampula dhe Morfin ampula”, thuhej në njoftimin e ministrisë.
Po ashtu, nuk u larguan as qentë endacak nga oborri i QKUK-së. Madje, ata sulmuan mjekët e pacientët. Disa i bënë për spital, pasi pësuan lëndime.
Mjekët u kritikuan, e ndonjëherë edhe u sulmuan në vendin e punës nga ana e vet pacientëve apo familjarëve të tyre.
Por, kritikat më të mëdha i morën gjinekologët dhe stafi mbështetës obstetrik në natën e 30 nëntorit. Kjo meqë në hyrje të klinikës, tek shkallët, u qëllua me plumba, e u vra një grua shtatzënë e cila ishte e shtrirë në klinikën e Gjinekologjisë ku kishte dal për shëtitje. Atë e vrau ish-bashkëshorti i saj. Por, ndonëse përfundoi para syve të mjekëve e vdekur, askush nuk ndërhyri për ta shpëtuar foshnjën e saj. E kjo u pa me sy kritik nga ana e shoqërisë dhe e qytetarëve.
Rast që do të mbahet në mend dhe tronditi opinionin ishte edhe rasti i foshnjës që lindi pa shenja jete në spitalin e Pejës. Foshnja e vdekur, nga papërgjegjësia dhe pakujdesia e stafit u fut në lavatriçe së bashku me çarçafët, ku u nxor copa-copa nga lavatriçja kishte thënë prindi i foshnjës.
Po ashtu, ishe edhe rasti në Pejë, ku në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” ishte keqtrajtuar dhe rrahur një e moshuar nga infermieret e kësaj qendre. Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës pati reagime si dhe protesta. E moshuara ishte nënë e dëshmorit dhe vuante nga sëmundja e alzheimeri.
Rast që do të mbahet në mend për vitin 2022 ishte edhe raportimi i keqtrajtimit të fëmijës pesë vjeçar nga logopedi Iljasa Fazliu në Gjilan. Në rrjete sociale ka qarkulluar edhe videoja ku dëgjohet se si logopedi kishte keqtrajtuar, ofenduar fëmijën me autizëm, teksa po trajtohej në qendrën rehabilituese defektologjiko-logopedike.
Fazliu nuk kishte as licencë pune si profesionist dhe kjo është konfirmuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës të cilët kanë thënë se Fazliu nuk është i licencuar.
Megjithatë kjo nuk e kishte penguar atë që të vazhdojë punën edhe në shërbimin e Logopedisë në Klinikën e ORL-së në QKUK, e madje edhe të avancohet në pozitën e shefit nga u.d drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi.
Se ka humb besimi këtë e dëshmoi e para e vendit, Presidentja Vjosa Osmani.
Pavarësisht asaj se në fushatën e zgjedhjeve të vitit të kaluar kishte premtuar se do ta kishte prioritet shëndetësinë, ajo për një vit e gjysmë prej sa ka marrë pushtetin me Albin Kurtin, i ka kryer dy operacione, dhe që të dyja jashtë shëndetësisë publike, duke mos i besuar këtij sektori.
Kjo nxiti reagime si nga shoqëria por edhe nga kirurgët ku këtë veprim Klinika e Kirurgjisë Abdominale e ka quajtur “injorim të papranueshëm”, teksa kanë thënë se ky operim në këtë klinikë është rutinë që nga viti 1999.
Pyetja shtrohej se “ku mbeti betimi I Hipokratit?”
Por, megjithatë pati edhe anë pozitive. E tillë u konsiderua edhe ideja e formimit të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, drejtimin e së cilit e mori përsipër vetë kryeministri Albin Kurti.
Një hap pozitiv u pa edhe ndarja e buxhetit për vitin që vjen, por që vendimi u morë në 2022.
Nga 198 milionë euro sa ishte në vitin 2022, për vitin 2023 buxheti do të jetë 296 milionë euro.
Hap pozitiv u pa edhe nisja e procedurave për ndërtimin e spitalit rajonal të Prishtinës në vitin 2023.
Por, më e mira nga të gjitha, mund të konsiderohet edhe ikja e pandemisë COVID-19. Aktualisht, Kosova ka më pak se 10 raste aktive./Vjollca Gajraku/arbresh.info/
Burimi e ndihmon Anisën të pastrohet
30 ditë paraburgim për Marko Daniqin, i akuzuar për sulmet n...
Haradinaj premton lehtësira tatimore për prodhuesit vendorë ...
Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja për nevoja op...
G7 konfirmon zotimin për të vendosur masa të ashpra ndaj Rus...
“24 orë i ki me Xheneten, se tani dal une!”, Driloni ngacmon...