Shkruan: Arditë Shkodra
Viti 2021 mund të cilësohet si vit i nisjes së proceseve të para gjyqësore në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Pesë vjet pas themelimit të saj, kjo gjykatë nisi procesin e parë gjyqësor më 15 shtator 2021 dhe i pari që doli para trupit gjykues të Speciales ishte ish- komandanti i njësisë BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Salih Mustafës, i njohur si komandant “Cali”, shkruan arbresh.info
Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në njësinë e paraburgimit në Hagë të Holandës më 24 shtator 2020, ndërsa seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij më 12 qershor 2020.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar e akuzon Mustafën se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.
Ish-komandant Cali akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt, shkruan arbresh.info.
Në paraqitjen e tij të para trupit gjykues në Hagë, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Deri më tani në rastin Mustafa, prokuroria ka paraqitur dhjetë viktima. I fundit përfundoi dëshminë e tij më 14 dhjetor, e cila ishte edhe seanca e fundit gjyqësore për këtë vit në këtë rast.
Procesi gjyqësor këtë vit nisi edhe ndaj dy ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj
Ndërsa Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, për tu transferuar në njësin e paraburgimit të DHSK-së më 25 dhe 26 shtator 2020.
Më 18 dhjetor në seancën e paraqitjes së parë para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju, Hysni Gucati u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës kurse Haradinaj pati vendosur që të vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë brenda 30 ditësh. Në paraqitjen e mëtejshme, më 8 janar 2021, Haradinaj nuk u vetëdeklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Gjykatësi i procedurës paraprake bëri deklarimin në emër të të akuzuarit se është i pafajshëm.
Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj është konfirmuar më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë zbuluar pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate. Gucati dhe Haradinaj kanë mohuar akuzat.
Gjykimi ndaj tyre filloi më 7 tetor 2021 dhe më 10 nëntor ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi
Pas këtyre dy të fundit, Specialja drejtoi sytë kah Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u transferuan në qëndrën e parabu4rgimi në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Seancat e paraqitjes së parë të Thaçit dhe Krasniqit u mbajtën më 9 nëntor 2020 para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju, gjatë këtyre seancave ata u vetëdeklaraun të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërsa Veseli dhe Selimi u mabjtën përkatësisht më 10 dhe 11 nëntor, ku të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha aktakuzat.
E më 21 prill 2021, gjykatësi i procedurës parprake miratori kërkesat e nëntë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I. Më 10 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e njëmëdhjetë parashtruseve si pjesë e të njëjtit grup.
Kujtojmë që Thaçi dhe të tjerët edhe pas një viti ende po mbahen në paraburgim, ani pse kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova dy vjet më para sa ishte në Kosovë kishte bërë të ditur se rregullat e procedurës nuk lejojnë që paraburgimi të zgjat më shumë se një vit për të akuzuarit, përpos në rrethana të jashtëzakonshme.
Në aktakuzën ndaj Thacit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.
Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Pjetër Shala
E i fundit që u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit në Hagë të Holandës më 16 mars 2021 në Belgjikë ku edhe jetonte.
Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, e më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Speciales.
Kur u votua Gjykata Speciale?
Kujtojmë që më 03 gusht, 2015 në Kuvendin e Republikë së Kosovës u votua pro Dhomave të Specializuara të Kosovës apo Gjykatë Speciale, në një amendament kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specilizuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuara të Kosovës.
Pro themelimit të kësaj gjykate votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.
Historiku
ARPKE-ja emëroi senatorin Dick Marty që të hetonte pretendimet e paraqitura në memoaret e ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) Karla Del Ponte, me titull Zonja Prokurore, që u botua në prill të vitit 2008.
Pas publikimit të këtij raporti, Bashkimi Evropian krijoi Taskë Forcën Hetimore Speciale (TFHS) për të hetuar pretendimet që përmbante ky raport.
Themelimi
U themelua më 1 shtator 2016, Zyra e Prokurorit të Specializuar trashëgoi punonjësit dhe mandatin e TFHS, e cila kishte filluar hetimin e pretendimve të Raportit të APKE-së në tetor 2011 si një subjekt i pavarur, juridiksioni dhe autoriteti ligjor i së cilës buronte nga Vendimi i Këshllit të Bashkimit Evropian për themelimin e Misionit të BE-së për Shtetin Ligjor në Kosovë (EULEX0.
Gjykata Speciale kundrejt gjykatave tjera
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë përparësi kundrejt të gjitha gjykatave të tjera në Kosovë. DHSK mund të urdhërojë transferimin e procedurave brenda juridiksionit të tyre prej çdo prokurori apo gjykate tjetër në territorin e Kosovës tek Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-ja në çfarëdo faze të hetimeve apo të procedurave gjyqësore. Poashtu Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-ja mund t’i japin urdhër një gjykate në Kosovë t’u dorëzojnë çfarëdo lënde gjyqësore apo hetimi në procedim apo në kryerje e sipër që përfshihet në juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara ose të ZPS-së.
Mandati
Mandati i ZPS-së përcaktohet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar miratuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015. Ky ligj e autorizon ZPS-në të hetojë dhe ndjekë penalisht shtetas të Kosovës dhe/ose Republikës Federale të Jugosllavisë, apo persona të cilët kanë kryer krime kundër shtetasve të Kosovës dhe/ose Republikës të Jugosllavisë, për krime të nisura ose të kryera në Kosovë që lidhen me sjelljet dhe veprimet e përmendura në raportin e APKE-së gjatë periudhës trevjeçare nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000./Arditë Shkodra/arbresh.info/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...