Një seri protestash, shpesh dhe të dhunshme, lanë shenjë gjatë vitit 2018. Ajo më e fundit e studentëve, u pasua nga një ndryshim radikal i qeverisë. Gjysma e ministrave që mbulonin postet më kyçe, u larguan. Megjithatë 2018 ofroi një shans për Shqipërinë në rrugën e integrimit, ndërsa mundësia për hapjen e bisedimeve për anëtarësim duket e afërt në muajt që do të pasojnë. Reforma në Drejtësi dha rezultatet e para. Tirana nisi një kapitull të ri marrëdhëniesh me Greqinë duke rihapur bisedimet për detin
PROTESTA E RRUGES SË KOMBIT
Kontrata që parashikonte pagesën për kalimin në Rrugën e Kombit është firmosur që gjatë qeverisë së mëparshme, por kundërshtimet e forta nisën në momentin e zbatimit. Më 25 mars kompania që kishte në koncesion rrugën nis testimet. Opozita do të reagojë menjëherë duke kundërshtuar “Eshtë taksim i dyfishtë”, deklaron Kryetari demokrat Lulzim Basha.
Debati do spostohet më pas dhe në parlament. “Përdoruesit e shpeshtë do kenë zgjedhje me karta”, shpjegon kryeministri Edi Rama. Por zoti Basha kundërpërgjigjet duke thënë se “Ti u merr shqiptarëve 120 milion shtesë taksë qarkullimi nga benzina dhe nga nafta dhe pastaj u thua hajde të paguash dhe traun e Rrugës së Kombit”.
Në ndërkohë taksa kundërshtohet nga banorët e zonës të cilët nuk kanë një rrugë alternative, si dhe nga Këshilli Bashkiak i Kukësit. Shqetësim ka dhe nga bizneset e Kosovës. Më 28 Mars 150 autotransportues protestojnë duke kaluar kufirin të boshatisur.
Një manifestim proteste, pak ditë më pas, në 31 Mars, pranë vendit ku bëhet pagesa kthehet shpejt në një përplasje të dhunshme. Drejt forcave të policisë të cilat ishin rreshtuar para sporteleve ku paguhet taksa fluturuan gurë e sende të rënda, ndërsa efektivët e Ndërhyrjes së Shpejtë reaguan me forcë duke përdorur dhe shkopinjtë e gomës. Situata erdhi duke u përkeqësuar.
Ndërsa punonjësit e policisë u tërhoqën, protestuesit u sulën duke dëmtuar me gurë dhe mjete të ndryshme kabinat e sporteleve, të cilave më pas ju vu dhe flaka.
Kryeministri shfaqet po atë ditë i tensionuar. Akuzon opozitën dhe paralajmëron se “me vandalët ne do të sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit”. Për opozitën, protesta dëshmon se “shqiptarëve u ka sosur durimi”. Të paktën 23 protestuesë arrestohen. Seanca e tyre gjyqësore zhvilllohet në një gjendje gati shtetrrethimi
Në 5 Prill, opozita e cila ka bërë thirrje për mosbindje civile bllokon për 2 orë akset ryesore rrugore. Qeveria nga ana e saj kërkon ndjesë dhe bën një tërheqje. “Ne nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”, deklaron zoti Rama nga salla e parlamentit. Kjo çështje do të mbajë tensionet e ndezura dhe një javë më pas, kur deputetët e opozitës do të lëshojnë miell e vezë drejt podiumit ku ndodhen të ulur kryeministri dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.
Pas një serie konsultimesh me banorët, Qeveria prezanton më 22 Qershor tarifat e reduktuara të cilat do rimbursohen nga shteti.”Të gjithë zbritjet shkojnë në 48.5 milion euro”, deklaron ministri i Financave Arben Ahmetaj. Por për këtë faturë të re askush nuk mban përgjegjësi se përse nuk ishte prashikuar në kontratën me koncesionarin
PROTESTA PËR TEATRIN
Një tjetër protestë kishte nisur të zjente më parë në Tiranë. Artistët kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar. E ndërsa debati në gjirin e tyre është i gjallë, kryeministri prezanton më 12 Mars projektin duke e bërë fakt të kryer shembjen e godinës aktuale: “Nga 3 mijë metra katrorë rrënoja që sot keni në dispozicion, do të keni 9 mijë metra katrorë në dispozicion nesër, 3-fishin”.
Çështja merr përmasa të forta dhe politike dhe më 28 Mars, në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvillohet një përplasje e fortë mes ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe përfaqësuesve të opozitës.
Protestat e artistëve nuk ndërpriten. Sikundër dhe qeveria nga ana e saj, vijon e pashqetësuar, duke hartuar një ligj të posaçëm, i cili më shumë se sa për ndërtimin e Teatrit të ri duket se është qepur sipas projektit të kompanisë private që do të ngrejë dhe godinat shumëkatëshe.
Ndërsa situata tensionohet, në mes të Qershorit, në lojë do të futet dhe kryebashkiaku Veliaj. Ai organizon disa takime me artistët, përballet fort me opozitën në parlament, dhe në fund arrin të zbusë gjakrat e një pjesë të mirë të aktorëve. Një pjesë tjetër vazhdon të kundërshtojë me këmbëngulje duke protestuar para parlamentit ditën që kalon projektligji, ndërsa brenda në sallë deputetët e opozitës në momentin e votimit lëshojnë drejt kryeministrit Rama kartonat e kuq.
Qeveria ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se projekti është një ofertë e pakërkuar e kompanisë “Fusha”, me pretendimin se ajo ka një pjesë të pronësisë mbi truallin, ndonëse jo më shumë se tre përqind. Por në fakt rezulton se ajo është një ofertë e koordinuar më parë me qeverinë. Më 13 Shtator në emisionin OPEN të ENi Vasilit në Top Channel, kryeministri shprehet se “ja kemi kërkuar ne, që nuk ndërton dot në hesapin tënd, po urdhëro e merr përsipër të kontribuosh për të ndërtuar Teatrin”. Eshtë po qeveria e cila për projektin, ka angazhuar arkitektin e njohur danez Bjarke Ingel, siç ky i fundit ka pranuar vetë publikisht, në një intervistë në “Top Shoë”, në muajin mars.
Presidenti Meta kthen pas ligjin në fund të korrikut. Në Shtator përmes një letre Komisioni europian kërkon hapjen e një gare. Socialistët e pranojnë, duke bërë ndryshime në ligj, por e gjitha duket të jetë një fasadë, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pra të marrë leje dhe nga kompania Fusha.
PROTESTA PËR UNAZËN E RE
Që prej fillimit të nëntorit banorët që preken nga projekti i Unazës së re protestojnë në mënyrë të përditshme. Janë mbi 300 objektet, ndërtesa banimi e shërbimi, të cilat do të duhet të shemben. Më shumë se gjysma e tyre janë në proces legalizimi. Autoriteti Rrugor shqiptar dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës shpjegojnë se për ndërtimet me leje do të bëhet shpronësimi, për të tjerët do të ofrohet bonus qeraje. Një ofertë e cila refuzohet nga banorët.
Protesta spostohet dhe para Bashkisë më 13 Nëntor, ku ka përplasje me policinë bashkiake, ndërsa manifestuesit kërkojnë të hyjnë brenda mjediseve të Bashkisë. Pasdite rruga bllokohet plotësisht, ndërsa i vihet flaka kazanëve të mbeturinave.
Partia demokratike është qartazi e rreshtuar në krah të tyre. “Qytetarëve ju lind e drejta të mbrojnë, objektet, banesat e tyre, me çdo formë e me çdo çmim”, shprehet zoti Basha, i cili thuajse përditë merr pjesë në manifestimet e banorëve.
Gjatë protestave nuk do mungojnë dhe përplasjet me policinë. Por kulmi i tyre do të jetë më 22 nëntor para parlamentit. Disa policë plagosen. Mes tyre, një punonjëse humbet disa nga gishtat e njërës dorë nga plasja e një kapsolle. Në sallë kryeministrit Rama është i prerë: “Për ata të Unazës së Re, duhet të jetë shumë e qartë. Kush ka titull pronësie, do të marri dëmshpërblimin sipas ligjit dhe pikë e do largohet që aty. Kush nuk ka titull pronësie dhe ka vetëm një strehim do të marrë 3 vjet bonus qeraje. Kush pastaj ka ngrehina të kategorisë së Bashkimit, Kujtimi, Agronit, Edmondit, Ramazanit, të largohet sa më shpejt që aty, të mos na dali përpara”.
Opozita gjatë gjithë kohës ka folur për një projekt abuziv dhe një garë korruptive në përzgjedhjen e kompanive fituese. Emisioni “Të Paekspozuarit” në News 24 zbulon më 6 Dhjetor, se kompania DH Albania, e paraqitur si filial i një shoqërie amerikane ka falsifikuar të gjithë dokumentat. Përveç 18 milion eurove për Unazën e Re ajo ka fituar dhe një garë tjetër 12 milion euroshe për një projekt energjitik. Autoritetet anullojnë tenderin, duke deklaruar se nuk kishin patur asnjë dyshim, ndonëse kompania është rregjistruar pak muaj para garës dhe përfaqësuesi i saj është një 26 vjeçar i panjohur. Por një seri të dhënash ngritën dyshime të forta se pas qëndron biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj.
PROTESTA E STUDENTËVE
Në ditët e para të dhjetorit, një ankesë e thjeshtë studentore në fakultetin e arkitekturës për një tarifë shtesë për provimet e prapambetura u shndërrua befas në një protestë që përfshiu të gjitha universitetet. Mijëra studentë u mblodhën para ministrisë së arsimit, me thirrjet “Ulni tarifat”. Kësaj kërkese ju shtuan dhe 3 të tjera. Më 6 Dhjetor, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla njoftoi vendimin e Qeverisë për të hequr tarifën mbi provimet e prapambetura. Por të nesërmen kërkesat u shtuan dhe më, duke përfshirë që nga rritja e buxhetit për arsimin, te karta studentore apo përmirësimi i kushteve në konvikte.
Tarifa e fillimit kishte shërbyer si pika e fundit që derdhi gotën e pakënaqësive akademike dhe pamundësive financiare të studentëve. Pas 7 ditë protesta te ministria e arsimit, dhe braktisje të auditorëve, studentët i zhvendosën tubimet e tyre para selisë së qeverisë. Kryeministri Rama shprehet i gatshëm për dialog me studentët. “Qeveria nuk kërkon negociata, Qeveria po kërkon dialog”, shprehet kreu i Qeverisë në një komunikim të drejtëpërdrejtë në Facebook.
Ftesat e tij të përsëritura binin në murin e palëkundur të studentëve që refuzojnë të hyjnë në komunikim me Qeverinë.
Me dyshimet e forta se sipas tij protestat po nxiteshin dhe nga opozita, zoti Rama tha në parlament, më 13 Dhjetor se “e para, protesta i dha një shuplakë Qeverisë. E dyta, protesta i dha një grusht opozitës”.
Ai nis pas kësaj një tur vizitash në universitete të ndryshme për të dëgjuar nga afër ankesat e studentëve dhe pedagogëve. Por këto takime u përcollën me dyshime nga të rinjtë, të cilët nuk hoqën dorë nga protesta e cila megjithatë erdhi duke u tkurrur. Ndërsa studentët u shpërndanë për shkak të festave duke premtuar rikthim në sheshe në fillim të Janarit, qeveria miraton më 26 Dhjetor, një paketë vendimesh, që sipas saj i përgjigjeshin kërkesave të studentëve.
RRUGA DREJT BISEDIMEVE PËR ANËTARËSIM NË BE
Pavarësisht vullnetit të institucioneve europiane për të mbajtur të ndezur shpresën e vendeve të Ballkanit për t’u bërë dhe ato një ditë, pjesë e Bashkimit, skepticizmi i disa prej vendeve anëtare mban hapur hendekun që e vështirëson më tej rrugën drejt Brukselit
Në fillim të shkurtit Komisioni europian miraton Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin perëndimor, shtrati në të cilin procesi i integrimit do të lëvizë në të ardhmen. Për Shqipërinë Strategjia nuk solli ndonjë element të ri.
Në pritje të publikimit të Raport Progresit nga Komisioni europian, në një takim në Bruksel në parlamentin europian, më 20 Mars, kryeministri Rama përsëriti se “ne mendojmë se e meritojmë, se e meritojmë plotësisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim”
Më 17 Prill, Komisioni merr një vendim të qartë. “Jam i kënaqur që Komisioni njohu rëndësinë e progresit të prekshëm të bërë nga Maqedonia dhe Shqipëria duke i rekomanduar Këshillit hapjen e bisedimeve për anëtarësim”, njofton vendimin, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Por nuk është gjithçka. Për Shqipërinë nis pjesa më e vështirë, për të garantuar mbështetjen unanime të të gjitha vendeve anëtare. Kyç mbetet pozicioni i Gjermanisë, ku vendimi i kancelares Angela Merkel kalon përmes parlamentit, dhe ai i Francës, presidenti i së cilës Emanuel Macron ka frenuar entuziasmin për zgjerimin duke kërkuar më parë reformim të vetë BE-së. Më të dy udhëheqësit kryesor europianë, kryeministri Rama pati takime kokë më kokë.
Në këtë sfond, të komplikuar më tej dhe nga një euroskepticizëm në rritje, shkohet drejt mbledhjes së Këshillit. Takimi i ministrave të Jashtëm, më 26 Qershor, zhvillohet nën tension. “Ka dy grupime, njëri që përfaqëson shumicën me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019, dhe Hollanda, Danimarka e Franca që kërkojnë shtyrjen e procesit”, deklaron ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias.
Franca do të lëshojë pe, në minutat e fundit. Formula e gjetur është ajo e përcaktimit të rrugës për hapjen e bisedimeve në qershor të 2019, ndërsa Komisionit europian i kërkohet të nisë procesin e vlerësimit të përputhshmërisë së kuadrit legjislativ të vendit me atë të BE-së.
Në Tiranë autoritetet marrin frymë të lehtësuara, ndërsa nuk do të mungojë një debat i fortë me opozitën. “Këshilli europian përcakton datën Qershor 2019, si datë të fillimit të bisedimeve për anëtarësim”, nënvizon ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Por për kreun demokrat Basha “nuk ka hapje bisedimesh me Shqipërinë. Ka një shtyrje me një vit”.
Në Korrik komisioneri Hahn vjen në Tiranë për të zyrtarizuar procesin e vlerësimit të legjislacionit. Takimi i parë mes palëve do të zhvillohet në Bruksel në Shtator
VETTINGU, PASTRIMI I SISTEMIT TË DREJTËSISË
Reformat janë kryefjala e Brukselit, por rivlerësimi I gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë procesi kyç. Një numër i lartë do të mbetet jashtë sistemit, ndërsa në fund të vitit do të ngrihen dhe dy institucionet e para, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Procesi nis në Janar me polemikat për përzgjedhjen e 5 anëtarëve që nuk janë nga radhët e gjyqësorit dhe prokurorëve, në secilin prej të dy këshillave. Opozita flet për mos zbatim të kritereve e për pasojë “korruptim të të gjithë procesit politik që na ka sjellë deri këtu”, deklaron deputeti i PD-ës Oerd Bylykbashi, në mbledhjen e komisionit të posaçëm për përzgjedhjen e kandidaturave. Ndërsa për shumicën ky qëndrim “është blatosje e procesit”, kundërpërgjigjet deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Mosmarrëveshjet çojnë në përdorimin e shortit. Ndërsa në parlament, pas dy dështimesh radhazi, herën e tretë emrat e dalë po nga shorti kalojnë automatikisht më 8 Shkurt.
Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të nisë në mars. Fazë e parë do të përmbyllet vetëm në vjeshtë. Emra të rëndësishëm gjyqtarësh e prokurorësh nuk kalojnë dot testin. Procesi nuk kursen as kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Pasi i mbijeton fazës së parë, ai shkarkohet në fund të vitit më 17 Dhjetor me vendim të Kolegjit të Apelimit “pasi nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”. E vetmja qe mban celësat e e Kushtetuese është Vitore Tusha. Edhe Gjykata e Lartë mbetet vetëm me 4 anëtarë.
Shumica dërrmuese rrëzohen për shkak të problemeve me pasurinë. Por nuk munguan dhe raste gati të pabesueshme si ai i anëtarit të gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili kish qenë më parë i dënuar në Itali për vjedhje.
Në listë, ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili la detyrën dhjetorin e 2017, deklaron tërheqjen nga sistemi, më 12 Shkurt, duke shmangur kështu rivlerësimin. Por ai do të përballet me problem të tjera. Pak ditë më pas më 15 Shkurt nga Shtetet e Bashkuara vjen njoftimi se atij dhe familjes i është ndaluar hyrja në territorin amerikan, me një vendim të sekretarit amerikan të Shtetit “për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni”.
Në Mars ndaj tij nisin hetimet, për 4 akuza “Mosdeklarim i pasurive, Mosdeklarim i të hollave në kufi, Pastrim parash dhe Shpërdorim detyre”. Në Korrik mbi disa pasuri të tij vendoset sekuestro.
Ngritja e institucioneve të reja vonohet me disa muaj, pasi thirrja për kandidatë nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Apelit do të duhet të përsëritet. Kompletimi i tyre bëhet i mundur vetëm në dhjetor, duke i hapur rrugë plotësimit të institucioneve ekzistuese dhe ngritjes së atyre të reja.
Procesi i rivlerësimit vijon me nivelet e tjera dhe siç paralajmëron më 12 Korrik, gjatë një seance dëgjimore në parlament, drejtuesi i Inspektorit të verifikimit të pasurive Shkëlqim Ganaj, gati gjysma e gyqtarëve dhe prokurorëve rrezikon të ngelet jashtë: “Pjesa e gjyqtarëve të Apelit, është pjesa që ka nivelin më ta lartë të problematikës. Vitin tjetër rrezikojmë të mbetemi dhe pa Gjykata Apeli”.
NGA MARRËVESHJA E DETIT ME GREQINË, TË RASTI “KACIFA”
Që prej 2017 Greqia dhe Shqipëria kishin nisur një proces dialogu për trajtimin e çështjeve të mbetura pezull mes tyre, ndër të cilat dhe marrëveshja e Detit, e cila do të negociohet nga e para
Ministrat e Jashtëm Bushati e Kotzias do të zhvillojnë takimin e dytë në Korçë më 20 Janar. “Këto janë bisedime jot ë lehta, pasi tematika është e gjerë dhe e shtrirë në kohë”, shpjegon ministri Bushati.
Në Shkurt ai kërkon nga presidenti Meta autorizimin për nisjen e bisedimeve për marrëveshjen e Detit. Pak ditë më vonë kërkesa refuzohet. Zoti Meta përmend vendimin e Gjykatës kushtetuese e ngre shqetësimin e objektit të kërkesës, përbërjes së grupit negociator dhe metodologjisë së bisedimeve: “Presidenti kurrsesi nuk mund të firmosë një letër të bardhë”. Por sipas ministrisë së Jashtme “procesi kërkon maturi dhe jo projektimin e një anormalitetit që nuk ekziston”. Për disa javë procesi do të shoqërohet me debate, dhe vetëm më 19 Mars presidenti do të japë autorizimin.
Raundi i parë i bisedimeve do të zhvillohet në Tiranë më 30 Prill, një ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm grek Kotzias. Takimet mes palëve do të jenë të shpeshta. Greqia ndërkohë njeh vulën Apostile, dhe patentat shqiptare. Procesi megjithatë nuk ecën me shpejtësin e parashikuar, pavarësisht se siç shprehet në qershor ministri Bushati “jemi në një rrugë pa kthim”
Gjatë një takimi në fillim të vitit në Davos dy kryeministrat Rama e Tsipras folën për firmosjen e dokumentit strategjik në pranverë. Në Korrik, në një takim të dytë mes tyre në Londër nuk përmenden më afate.
Në fund të vjeshtës, vrasja në jug të vendit e minoritarit Kostantinos Kacifas, gjatë një shkëmbi zjarri me policinë, duket se i rikthen palët në llogoret e vjetra. Shkëmbimet e deklaratave dhe replikave janë intensive. Presidenti Meta flet për një ngjarje të provokuar.
Situata tensionohet më tej gjatë ceremonisë së varrimit e zhvilluar në një sfond të fortë nacionalist dhe thirrje ekstremiste nga disa qindra persona të ardhur nga Greqia .Të nesërmen Tirana deklaron të padëshiruar 52 qytetarë grekë, ndërsa zëvendës ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thekon se “askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi”. Një ditë më pas, i njejti vendim merret dhe për eurodeputeten qipriote Eleni Theocharous. /Zëri i Amerikës
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?