Shtatë muaj të vitit 2017 qytetarët e vendit janë përballur me fushata elektorale. Kjo për shkak së më 10 maj pas afërisht katër orë diskutimesh dhe akuzave të ndërsjella, Kuvendi i Kosovës e kishte mbështetur me 78 vota mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Isa Mustafa, shkruan arbresh.info.
Rrëzimi i Qeverisë bëri që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhje këto të cilat u mbajtën më 11 qershor. Për një muaj qytetarët e vendit dëgjuan premtime nga më të ndryshmet.
Qeveria e vendit nuk arriti të formohej për tre muaj, pasi që asnjëri subjekt politik nuk kishte arritur të fitoj 50 përqindëshin e votave. Mungesa e formimit të institucioneve bëri që vendi të jetë në një bllokadë institucionale, çka bëri që për këtë kohë të mos flitej për prioritetet që ishin vendosur të jenë pjesë e rëndësishme për qytetarët dhe procesin e vendit.
9 shtatori shënoi edhe ditën kur u formua Qeveria e vendit nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Me të marrë mandatin kryeministri u zotua se do të merret me çështje të mëdha e të cilat do të jenë në interes të qytetarëve.
Por, pavarësisht këtyre premtimeve dhe formimit të institucioneve, Kuvendi nuk arriti të mblidhej për një kohë gjë kjo që bëri që edhe përfaqësuesit ndërkombëtare të bëjnë thirrje për mbajtjen e seancave.
Zgjedhjet lokale ishin caktuar të mbaheshin më 22 nëntor dhe shumë nga ministrat e qeverisë Haradinaj, e po ashtu edhe deputetë të pozitës dhe opozitës tashmë kishin bërë publike kandidaturat e tyre për kryetarë komunash.
Kandidimi i tyre, bëri që shumica nga ta shpesh herë të mos jenë prezent në seancat e Kuvendit, duke e bartur komplet fokusin e tyre vetëm në zgjedhjet lokale.
Përqendrimin e tyre vetëm në zgjedhje e kanë kritikuar vazhdimisht analistë politikë në vend e po ashtu përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me monitorimin e punës së Kuvendit.
Sipas tyre, organizimi i tri palë zgjedhjeve gjatë vitit ka bërë që fokusi i institucioneve të vendit, e po ashtu edhe subjekteve politike të zhvendoset në fushatë elektorale. Madje, vlerësojnë që çështjet kryesore si luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, liberalizimi i vizave, e zhvillimi ekonomik të mbeten anash, shkruan arbresh.info.
Drejtori ekzekutiv i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj për arbresh.info përmend disa nga çështjet kryesore ku do të ishte dashur të fokusohej Qeveria e vendit.
“Qeveria duhet të fokusohet në luftim të korrupsionit, reformat që duhen në sundim të ligjit, në Administratë Publike, duhet të kenë fokus në zhvillim ekonomik pra duhet të rritet numri i të punësuarve, përmbushja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që është e vonuar dhe duhet patjetër me përfundu sa më shpejtë në afatet që janë të parapara dhe çështja e liberalizimit të vizave më tash është çështje kryesore e cila duhet të adresohet dhe të merr një epilog të caktuar, pra këto janë disa prej çështjeve kryesore me të cilat duhet të merret Qeveria në nivel qendror”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për atë se ku duhet të fokusohet niveli lokal.
“Në nivel lokal tash i dimë premtimet e subjekteve politike, konkretisht kandidatëve për kryetar që i kanë dhënë në fushatat e kaluara, ka qenë sidomos uji i pijshëm, çështja e ndërtimit të shkollave , rritja e cilësisë në arsim, shtrimin e rrugëve të caktuara do të thotë këto janë pikat që ata i kanë cekur dhe për to kanë dhënë afate shumë të shkurtra, dhe kjo duhet të bëhet menjëherë pas marrjes së mandatit”, ka thënë ai.
Ndërsa, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për arbresh.info se gjatë kohës së zgjedhjeve vendi ka qenë në një bllokadë institucionale.
Kjo për shkak pasi siç thotë ai edhe zgjedhjet lokale e po ashtu edhe ato nacionale kanë ndikuar direkt në punën e institucioneve të vendit.
Murati, deklaron se pas përfundimit të zgjedhjeve fokusi i institucioneve të vendit duhet të jetë në çështje të mëdha, duke përmendur, demarkacionin, liberalizimin e vizave, zhvillimin ekonomik, transformimin e FSK-së, e po ashtu edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Fokusi i Qeverisë duhet të jetë edhe në zhvillim ekonomik, në luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe njëkohësisht e dimë që tash e sa kohë duhet dhe jemi në pritje që të bëhet një zgjidhje e qëndrueshme rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi , ku e dimë që ky është edhe një kusht për liberalizimin e vizave , madje ka edhe shumë çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, e po ashtu edhe transformimi i FSK-së, ku Qeveria duhet të ndërmarr hapa konkret”, ka thënë ai.
Ndërsa, analisti politik Bajrush Morina, ka thënë se ka ardhur koha kur përfaqësuesit politik si në nivelin qendror e po ashtu edhe në atë lokal duhet të punojnë më shumë e të flasin më pak.
“Krejt çka duhet të bëjnë përfaqësuesit politik në nivelin lokal e qendror është që të punojnë më shumë e të flasin më pak. Aq shumë kanë folur sa na kanë lodhur. Ka ardhë koha kur ata duhet të lodhen duke punuar e të mos bëjnë zhurmë duke folur. Ata kanë aq shumë punë për të kryer sa me këtë ritëm të punës së tyre, ne nuk do të marrim liberalizimin e vizave edhe disa vjet e do të bëhemi pjesë e Evropës në shekullin e ardhshëm”, ka pohuar Morina.
Zgjedhjet nacionale në vend janë mbajtur më 11 qershor, ndërsa ato komunale më 22 nëntor, derisa komunat që kanë shkuar në balotazh kanë mbajtur procesin zgjedhor më 19 nëntor.
Ndërkohë, në komunën e Istogut më 17 dhjetor janë mbajtur për herë të katërt zgjedhjet gjatë vitit 2017 pasi Gjykata Supreme kishte vendosur ta dërgoj këtë komunë në rivotim për shkak të parregullsive të mëdha në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...