Google ADS

20 vjet nga Korniza Kushtetuese mbi vetëqeverisjen e përkohshme në Kosovë

07:25 | 15 Maj 2021
Trina Galanxhi

Korniza Kushtetuese është hartuar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut, Hans Hackeroup më 15 maj të vitit 2001. Ky dokument prej 30 faqesh ishte kujdesur të sqarojë në detaje çdo hap që çon deri te krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira.

“Më 15 maj 2001, unë kam nënshkruar rregulloren e UNMIK-ut 2001/9, e cila do të sjellë një fazë të re të vetëqeverisjes në Kosovë. Kjo është, pa dyshim, rregullorja më e rëndësishme e lëshuar në dy vitet e fundit, që nga ardhja e UNMIK-ut dhe KFOR-it në Kosovë, sepse kjo krijon një kornizë kushtetuese gjithëpërfshirëse për vetëqeverisje në Kosovë. Korniza Kushtetuese mbi Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë përshkruan institucionet, të cilat do të lihen në duar të liderëve kosovarë dhe nëpunësve publik pas zgjedhjeve, më 17 nëntor 2001. Ky është vërtetë një dokument historik: Ai do të drejtojë popullin e Kosovës drejt themelimit të strukturave demokratike dhe implementimi i tij i suksesshëm do të ndihmojë në masë të madhe procesin e për caktimit të statusit përfundimtar të Kosovës”, kishte shkruar në atë kohë përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Hans Hackeroup.

Pas hapjes së rrugës dhe dhënies së sinjalit për zgjidhjen e statusit politik, filluan edhe përpjekjet e para për të bërë Kushtetutën. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, pas përpjekjeve të gjata, që rezultuan me bisedimet e Vjenës dhe Pakon e Ahtisaarit – mbi bazën e të cilës edhe u krijua shteti ynë – shtruan nevojën e domosdoshme për të pasur një Kushtetutë, në kuadër të forcimit dhe të funksionalizimit të shtetit të ri.

Duke u thirrur në efektet e aktit me të cilin u themelua shteti i Kosovës, Deklaratës së Pavarësisë, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë, konkretisht më 9 prill 2008 u miratua akti ma i lartë juridik dhe njëherazi akti që materializoi Deklaratën e Pavarësisë. Kurse, hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme