Thaçi ka kërkuar të dërgohet në arrest shtëpiak në Slloveni

09:03 | 12 Korrik 2021
V. S.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që në vazhdim të gjykimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë, të mbrohet nga arresti shtëpiak dhe meqë kërkohet një vend i tretë për të qëndruar, ai ka zgjedhur Slloveninë.

Kështu raporton mediumi slloven Necenzurirano duke ju referuar burimeve të saja, në një shkrim ku flitet në detaje për procesin e ekstradimit të Thaçit në Slloveni, për ta vazhduar mbrojtjen nga arresti shtëpiak.

“Ky informacion na është konfirmuar nga disa burime brenda Sllovenisë dhe jashtë saj po ashtu”, shkruajnë Primosh Cirman dhe Tomas Modic, dy gazetarët që kanë publikuar artikullin në mediumin investigativ Necenzurirano.

Nga Specialja ende nuk janë deklaruar për këtë çështje, por dokumentet e Gjykatës që janë publikë, tregojnë se Thaçi kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.

Dokumentet e Gjykatës që tregojnë se Thaçi kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai është pajtuar edhe me mundësinë që të jetë në arrest shtëpiak gjatë gjykimit, në një vend “që është një shtet i tretë dhe që nuk është në kufij me Kosovën”.

Dokumentet e gjykatës megjithatë nuk tregojnë se cili është vendi i kërkuar nga Thaçi, por mediumi slloven shkruan se kanë informacione që përzgjedhja e parë e ish-themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Sllovenia.

Madje, në artikull thuhet se Thaçi ka kontaktuar edhe me njerëz brenda qeverisë sllovene për të parë mundësinë e dërgimit të tij në Slloveni dhe për t’u siguruar se qeveria sllovene do të bëhet garant, duke siguruar gjykatën se “Thaçi nuk do ta lërë territorin slloven gjatë kohës sa gjykohet”.

Gjykata gjithashtu nuk është përgjigjur në pyetjen se nëse qeveria sllovene e ka ofruar tashmë garancinë. Gazetës nuk i është përgjigjur as ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Anze Logar.

Dokumentet publike të gjykatës tregojnë se gjykata në Hage ia kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje nga arresti shtëpiak Thaçit.

Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, meqë ishte arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur, dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po që se mbahet në një shtet të tretë.

Por, gjykata mund t’i bëjë një rivlerësim kërkesë së Thaçit, meqë një nga gjyqtarët, gjermani Kai Ambos, në një opinion të tij ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht”, kërkesa e Thaçit “nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”.

Ai shkruan se “një ofertë e tillë do të ishte një argument i fortë për Thaçin”, derisa shtonte se “Thaçi është i bindur se do të mundet ta sigurojë këtë mbështetje nga një vend i tretë”.

Dokumentet nga Gjykata Speciale: Thaçi “është konfident se do të sigurojë lejen për të qëndrim nga një vend i tretë”

Sipas Necenzurirano, kjo ka ndodhur në kohën kur Thaçi veçse kishte kontaktuar autoritetet sllovene. Sipas procedurës, gjykata rishikon mundësitë e arrestit shtëpiak për Thaçin dhe shikon nëse janë bërë kushtet çdo dy muaj. Pyetjeve për këtë lëvizje potenciale të Thaçit në drejtim të Sllovenisë, nuk u është përgjigjur as avokati i tij, amerikani Gerogy Kehoe.

Mediumi slloven në një pjesë të tekstit shkruan edhe për afërsinë që Thaçi ka pasur gjithmonë me autoritet sllovene dhe me kryeministrin aktual slloven Janez Jansha. Ceket gjithashtu edhe vizita private që Janez Jansha i kishte bërë Thaçit në vitin 2011, kur ish-kryeministri i Kosovës, ishte ende në opozitë.

“Thaçi është një nga pionierët e pavarësisë së Kosovës. Qysh në fillim të viteve 1990, ai ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila udhëhoqi një luftë guerile për pavarësinë e kësaj ish-krahine autonome serbe. Ai mbajti pozicionin e drejtorit politik të UÇK-së, me media të huaja që e lidhnin atë me strukturat kriminale. Në vitin 1999, Thaçi udhëhoqi një delegacion të shqiptarëve të Kosovës në negociata të pasuksesshme me autoritetet në Beograd në Kalanë e Rambujesë në Francë. Midis diplomatëve perëndimorë, ai konsiderohej udhëheqësi i rrymës së tyre më të moderuar dhe amerikanët ishin gjithashtu shumë dashamirës ndaj tij”, thuhet në artikull.

Edhe atëherë, vazhdon artikulli, Thaçi kaloi shumë kohë në Slloveni, veçanërisht në Bled, ku ishte selia e tij politike për një kohë të shkurtër. Pas sulmeve të NATO-s që dëbuan ushtrinë Jugosllave nga Kosova, Thaçi u bë politikani më i fortë i Kosovës. Në vitin 2008, ai u bë kryeministri i parë i Kosovës së pavarur dhe tetë vjet më vonë ai u zgjodh president./necenzurirano/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme