Viti 2023 sa ishte tragjik për Kosovën, ishte edhe historik.
Liberalizimi i vizave, marrëveshja në Ohër, trazirat e majit, sulmi terrorist në veri më 24 shtator, ishin disa prej ngjarjeve që shënuan këtë vit.
Marrëveshja e Ohrit
E nisim me marrëveshjen e Ohrit.
12 orë negociata historike në Ohër, Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje për planin evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u takuan në Ohër më 18 mars në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
Palët u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut në bisedimet që zgjatën për më shumë se 12 orë për të çuar përpara planin e zbatimit të propozimit evropian.
Para nisjes së takimit në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se ka ardhur me qëllim të mirë për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Mirëpo, ka shtuar se derisa nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit nuk mund të ketë marrëveshje.
Kurti, pas bisedimeve që zgjatën mbi 12 orë në Ohër, tha se ishte arritur pajtim publik, por pala serbe nuk pranoi sërish të nënshkruante.
Kryeministri i Kosovës theksoi se marrëveshja është njohje de facto e Kosovës nga Serbia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është arritur “një lloj marrëveshjeje”.
Liberalizimi i vizave për Kosovën
18 prilli do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kosovarëve, atë ditë u liberalizuan vizat e shumëpritura për qytetarët e vendit tonë.
Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten në një konferencë për media pas nënshkrimit të aktit ligjor për vizat, tha se më në fund qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza drejt Evropës.
Ai shtoi se lëvizja pa viza drejt BE-së për qytetarët e Kosovës do të bëhet më së largu më 1 janar 2024.
Vendimi u prit mjaftë mirë nga liderët opozitar si dhe nga gjithë qytetarët.
Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.
Më 5 tetor u hap fushata për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.
Përmes një komunikate për media nga zyra e kryeministrit bëhej e ditur se lansimin e fushatës do ta bëjë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Aktiviteti i parë u mbajt në Prishtinë për të vijuar më tej në gjithë Kosovën.
7 muaj më pas, Kosova “u trondit”, nga një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron, gjatë një vizite që kishte në Tiranë.
Më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.
Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.
Një sqarim nga zyra e presidentit francez, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur. Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, sqaroi zyra e Emmanuel Macron.
Tanimë kosovarët vetëm se kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
Trazirat e 26 majit
Si ngjarjet kryesore që u shënuan gjatë vitit që lamë pas, janë sulmi në veri më 24 shtator dhe trazirat e 26 majit.
Më 26 maj, Qeveria e Kosovës mori kontrollin e ndërtesave komunale në katër qytete veriore me shumicë serbe, duke shkaktuar protesta të dhunshme dhe duke nxitur KFOR-in, forcën paqeruajtëse të NATO-s, të ndërhynte.
Ditë më vonë, më 29 maj, protestuesit etnikë serbë të armatosur me shkopinj dhe granata tronditëse u përleshën me trupat e KFOR-it në Zveçan, një nga komunat veriore, duke lënë dhjetëra të plagosur, disa rëndë, nga të dyja anët. SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) fajësuan qeverinë e Kosovës për përshkallëzimin e tensioneve, ndërsa fajësuan serbët për sulmin e paqeruajtësve.
Më 30 maj, Washingtoni vendosi një sërë sanksionesh ndaj Kosovës. NATO urdhëroi rezervën e saj operacionale prej 700 trupash në Kosovë, duke përforcuar praninë e saj në terren.
Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën në fund të majit, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.
Kush janë personat që i sulmuan ushtarët e NATO-s?
Si pjesëmarrës kryesorë në sulmet kundër KFOR-it, autoritetet e Kosovës i emëruan pjesëtarët e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – që të dyja të shpallura terroriste nga Prishtina zyrtare.
Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” dhe organizator i sulmeve ndaj KFOR-it u identifikua Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor.
Ai akuzohet për tri vepra: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të personelit me mbrojtje ndërkombëtare.
Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.
Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria njoftoi se institucionet kanë vendosur që të mos lejojnë hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të Serbisë.
Më 26 qershor tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare.
Pasi kaluan kontrollin serb, ata hynë në makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, pa u deklaruar për mediat që ishin të pranishme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar”.
“Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës”, tha ai, duke u shprehur i gëzuar për kthimin e policëve te familjet e tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha mes tjerash se lirimi i policëve “nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant të agresionit kundër Kosovës”.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se përndjekja e policëve nga Serbia do të vazhdojë në liri, “ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë”.
“Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Ai, po ashtu, tha se gjendja shëndetësore e policëve “është relativisht e mirë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, por gjithsesi shumë i mirë”.
Të premten e 16 qershorit u sulmuan edhe mediat e Kosovës.
Nëntë gazetarë u sulmuan nga disa persona të maskuar.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dënuar sulmin e sotëm ndaj gazetarëve në Leposaviq.
ShBA ka bërë thirrje që mediave t’u lejohet të punojnë pa dhunë dhe pa i frikësuar.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë lëshuar një deklaratë në lidhje me
vendimin e Kosovës për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në veri të vendit, duke shprehur keqardhje për këtë veprim.
Veprimet e reja unilaterale do të kenë ndikim negativ në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në, theksohet në deklaratën e përbashkët të drejtuar ndaj Kosovës.
Në deklaratë, ambasadat dhe zyra e BE-së theksojnë se është e rëndësishme që autoritetet e Qeverisë kosovare të mos marrin masa të reja për të hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Këto shtete gjithashtu inkurajojnë kryetarët e zgjedhur të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarët e komuniteteve të tyre.
Në të njëjtën kohë, ambasadat dhe zyra e BE-së bëjnë të qartë se janë kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të rrezikojnë një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, dhe që mund të shkaktojnë tensione ose konflikte. Ata shprehin shqetësim të veçantë për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR.
Rrahja në Kuvendin e Kosovës
Më 13 korrik një ngjarje e pazakontë ndodhi në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e pozitës dhe ata të opozitës janë përleshur fizikisht mes vete.
E gjitha ka nisur teksa po mbante fjalim kryeministri Albin Kurti, i cili gjatë gjithë kohës po pengohej nga deputetët e opozitës që e akuzonin se po gënjen.
Më pas, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shihet duke u afruar te foltorja dhe duke e larguar pankartën “Zdravo” të vendosur nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Në atë moment, shihet deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku që afrohet te foltorja dhe e lagë me ujë kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi.
Ky i fundit më pas shihet duke e goditur me shishe në fytyrë deputetin Lushtaku.
Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të opozitës të cilët janë përfshirë në rrahje.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka reaguar për përleshjen mes pjesëtarëve të Qeverisë Kurti dhe deputetëve të PDK-së, në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se dhuna nuk është kurrë një mjet për të shprehur mosmarrëveshjet dhe sipas tij, kjo situatë është për keqardhje.
Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës
Këto seanca nga analistët e Kosovës, po konsiderohen si performanca më të dobëta që nga periudha e pasluftës.
Sulmet në veri nuk përfunduan me trazirat e majit.
i
Të dielën e 24 shtatorit pas një sulmi terrorist në veri, mbeti i vrarë rreshteri e tanimë heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Me ceremoni e nderime të larta shtetërore më 25 shtator në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, u varros heroi Afrim Bunjaku.
Të shumtë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj kanë marrë pjesë në varrimin e të ndjerit, i cili u vra në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Afrim Bunjaku bëri sakrificën më sublime në mbrojte të atdheut, ku dëshmoi se shteti ka nevojë më shumë se kurrë t’i bëhet gardian.
Edhe kryeministri Albin Kurti u shpreh se rreshter Bunjaku ra si hero për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e vendit.
Qeveria e Serbisë e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie për, siç kanë thënë, “ngjarjet tragjike” në Kosovë.
Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – “shpalli” tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas ligjit të Kosovës, në nivel shteti ditë zie mund të shpallë vetëm presidentja e vendit, ndërsa në nivel komune edhe vetë komunat përkatëse.
Në selinë e Parlamentit Evropian më 3 tetor u zhvillua një debat i jashtëzakonshëm lidhur me sulmin e 24 shtatorit në veri, ndërsa pritet së shpejti edhe miratimi i një rezolute.
Debati u iniciua nga socialdemokratët, grupit të dytë me i madh në Parlamentin Evropian.
Sveçla publikon pamjet ku shihet Millan Radoiçiçi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video në rrjetet sociale në të cilën, sipas tij, shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiçi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
Sveçla ka prezantuar dokumente, sipas të cilit, konfirmohet involvimi i Serbisë në sulm.
Sveçla ka vazhduar me prezantimin e provave të reja që sipas tij tregojnë qartë lidhjet zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
Radoiçiç konfirmon pjesëmarrjen dhe organizimin e sulmit në Banjska
Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.
Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk i ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.
Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.
Në letër, Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se të gjithë ata që morën pjesë në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.
Në një intervistë për televizion amerikan CNN, Vuçiqi theksoi se këtu përfshihet edhe përgjegjësia e Millan Radoiçiqit, njërit prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Më 30 shtator, ai dha deklaratë në polici “në cilësinë e qytetarit”, ndërsa rastin e mori përsipër Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Bastisja në vilën e Radoiçiçit në vilën e Liqenit të Ujmanit.
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në banesën e Milan Radoiçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”.
Sveçla krahas pamjeve që publikoi, shkruante se Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë ‘luftëtar lirie’ por për një Pablo Escobar të rajonit.
Kontrollet në veri
Policia e Kosovës më 29 shtator kreu pesë kontrolle në tri komunat në veri të Kosovës.
Në njoftim bëhej e ditur se këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.
Rreziku i Kosovës nga Serbia dhe kriminelët serbë, nuk ka kaluar
Aleksandar Vulin dhe disa nga krerë të inteligjences serbe, bashkë me kryekrimineli Milan Radoiciq, janë duke përgatitur një plan për të sulmuar veriun e Kosovës.
Më 18 dhjetor Arbresh.info ka marrë informacione nga burime ndërkombëtare se Aleksandar Vulin me miratimin e presidentit serb, Aleksandar Vuciq dhe strukturave të tjera inteligjente të ushtrisë dhe policisë serbe, në krye me Milan Radoiciq, janë duke organizuar, stërvitur dhe armatosur trupa paramilitarë me qëllimin që gjatë muajit janar të futen në territorin e Kosovës.
Arbresh.info po ashtu, nga burime ndërkombëtare mëson se momentalisht në Serbi janë duke u stërvitur 250-300 trupa, ndër ta ka edhe forca speciale të ushtrisë serbe, kriminelë të rrethit të Radoiçiqit dhe disa mercenarë rusë, të cilët e përbëjnë këtë grup.
Ata janë duke u stërvitur në dy kazerma sekrete në Serbi dhe Radoiçiqi është caktuar prirës i tyre.
Më 23 dhjetor kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se krimineli Millan Radojçiq po vazhdon përgatitjet për sulme tjera ndaj vendit tonë.
Kurti tutje tha se Radoiçiq po mban takime të rregullta me pjesëtarë të sigurimit sekret serb.
Ndër të tjera Kurti ka thënë se gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Liqenit të Ujmanit. Por, këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë konferencës për media së bashku me kryeministrin Kurti, tha se çdo herë e më shumë gjatë zhvillimit të hetimeve po përforcohen konstatimet e sulmit në Banjskë, duke shtuar se qëllimi i Serbisë dhe sulmi i grupit terrorist ishte që të aneksohet veriu i vendit.
Po ashtu, Sveçla tha se grupi terrorist është mbështetur, përkrahur urdhëruar dhe ka lidhje direkte me strukturat shtetërore të Serbisë.
Sveçla, ka deklaruar se veriu i vendit është sulmuar 114 herë që nga viti 2021 deri më sot nga Serbia. Sveçla, në një konferencë për media, tha se si institucione kanë ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë planet e Serbisë për destabilizim./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë