Google ADS

RrGK e shqetësuar me vendimin e Presidentit për njërin nga rastet e falura

17:51 | 24 Prill 2018
V. S.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin me vendimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të falur një të njohur të tij, respektivisht, dhëndrin e axhës së tij, i cili në vitin 2008 kishte kryer dy vrasje dhe konsideron se falja e ushtruar si e drejtë e shefit të shtetit nuk ka respektuar institucionin e faljes si institucion i përkufizuar sipas ligjit.

Përmes një reagimi  thotë se “rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në peshën e krimit, Rrjeti i Grave të Kosovës ngrit shqetësimin në lidhje me atë se cilat kritere janë marrë për bazë në rast të faljes nga mbajtja e dënimit të burgut të këtij personi”.

“Fakti që presidenti dhe i faluri, kanë lidhje familjare, po ashtu paraqet një shqetësim për RrGK-në, pasi që ky mund të jetë një mesazh dekurajues për të burgosurit dhe të burgosurat, por edhe për të gjithë shoqërinë”, thuhet në reagim.

RrGK e konsideron pozitiv faktin që qytetarëve dhe qytetarëve që kanë kryer vepra penale, t’u jepet mundësia e faljes nga mbajtja e dënimit të burgut ashtu siç parasheh Ligji për Faljen, por edhe në këto raste, duhet të jenë të vëmendshëm se cilat raste po falen, dhe çfarë mesazhi i dërgohet shoqërisë me këto falje.

“RrGK ka vizituar Instituctionet Korrektuese, ku ka parë raste të grave të cilat në vetmbrojtje kanë vrarë anëtarë të familjes. Edhe pse ka pas raste dhe fakte për torturat që këto gra i kanë përjetuar ndër vite si pasojë e dhunës në familje ndaj tyre, ky fakt nuk është marrë parasyshë si rrethanë lehtësuese nga ana e gjyqësorit dhe po këto gra janë dënuar për vrasje në vetmbrojtje me burgim deri në 30 vite”, thuhet në reagim./arbresh.info/

Të ngjashme