Ndonëse nuk ka statistika të sakta se sa është numri i personave që vuajnë nga epilepsia, sipas Shoqatës kundër Epilepsisë vitin e kaluar vetëm në Klinikën e Neurologjisë në QKUK trajtim kanë kërkuar mbi 1 mijë raste.
Kështu tha kryetarja e Shoqatës Kundër Epilepsisë në Kosovë, Valbona Govori -Berisha, në Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Epilepsisë.
Drejtori i klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, për “Arbresh.info” thotë epilepsia është në mesin e katër sëmundjeve më të shpeshta në Neurologji, e sipas tij vlerësohet se afërsisht janë rreth 60 pacient me epilepsi për çdo 100.000 banorë në vit.
“Epilepsia është në mesin e katër sëmundjeve më të shpeshta në Neurologji. Në Kosovë nuk kemi statistika të sakta për Epilepsi sikurse edhe për sëmundjet tjera, por vlerësohet se afërsisht i kemi rreth 60 pacient me epilepsi për çdo 100.000 banorë në vit”, thotë ai.
Ai thotë se epilepsia i prek të gjitha moshat por më së shpeshti shfaqet në fëmijëri dhe pleqëri.
“Epilepsia i prek të gjitha moshat, prej fëmijërisë deri në pleqëri në të dy gjinitë me shfaqje më të shpeshtë në fëmijëri dhe në pleqëri. Sa i përket rritjes së numrit të rasteve, deri sa nuk ka statistika të sakta është vështirë të thuhet. Por ndonjë rritje e madhe jashtë normës nuk besoj që ka ndodhur. Megjithatë duke ditur dinamikën e jetës, lëvizjeve të popullsisë, aksidentet në rritje me lëndime që potencialisht japin kriza epileptike, zgjatja e jetesës mesatare mund të ketë rritje të lehtë të numrit”, pohon ai.
Shërbimet kirurgjikale për epilepsi vetëm jashtë Kosovës
Komoni, tutje tregon se si bëhet trajtimi i kësaj sëmundje, e sipas tij kjo klinikë përballet edhe me mungesë të trajtimit kirurgjikal për të sëmurët me epilepsi.
Megjithatë, ai thotë se së shpejti në këtë klinikë do të bëhet trajtimi me elektrostimulim të nervit Vagus.
“Trajtimi i epilepsisë bëhet te pjesa dërmuese e pacientëve me medikamente antiepileptike me të cilat kontrollohen krizat epileptike. Një përqindje e vogël e pacientëve që janë rezistent në terapi medikamentoze mund të trajtohen me metoda tjera nëse i plotësojnë kriteret për to. Këtu mund të përmendim trajtimin kirurgjik të epilepsisë i cili deri tani nuk është ofruar në vendin tonë, por është një formë e trajtimit mjaftë e komplikuar që kërkon ekip të specializuar, teknologji të sofistikuar dhe shpresoj që kjo do të mundësohet në të ardhmen e afërt nga kolegët neurokirurg në bashkëpunim me neurologjinë. Metoda tjetër e trajtimit të epilepsisë e që është më afër realizimit do të jetë trajtimi me elektrostimulim të nervit Vagus (VNS-Vagal Nerve Stimulation)”, shprehet Komoni.
Mungesa e repartit të epilepsisë
Ai shtoi se për shkaqe organizative infrastrukturore s’ka repart të epilepsisë në ketë klinikë, ku sipas tij do të profilizonin staf i cili do të merrej vetëm me epilepsi.
“Menaxhimi i pacientëve bëhet kryesisht pa vështirësi të mëdha. Sfidë është se për shkaqe organizative infrastrukturore nuk kemi pasur mundësi ta organizojmë Repartin e Epilepsisë në kuadër të klinikës ku do të profilizonim stafin i cili do të merrej vetëm me epilepsi. Pastaj ndarja në dy dhoma të veçanta të aparateve të EEG dhe krijimi i shërbimit të ri të video EEG për diagnostikim, realizimi i analizave biokimike për përcaktimin e nivelit të medikamentit antiepileptik në gjak dhe qasje tek antiepileptikët e rijnë. Pavarësisht të gjithave stafi i klinikës me mundësit në dispozicion në masë të madhe arrin të ofrojë shërbim të mirë për pacientët me epilepsi” tha në fund Komoni.
Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), epilepsia numëron çdo vit 5 milionë raste të reja në botë. Karakteristikë e sëmundjes janë dridhjet e trupit, për pasojë këta pacientë, pësojnë shpesh lëndime trupore, nga minimalet deri në frakturat të ndryshme. Ekspertët vlerësojnë se 23% e prekur nga epilepsia vuajnë nga depresioni, 20% nga ankthi, dhe 30-40% e fëmijëve shfaqin paaftësi mendore. Kapja në kohë e sëmundjes dhe nisja e mjekimit bën që 70% e tyre të jetojnë pa konvulsione, por kur trajtimi me medikamente nuk funksion, mjekët ndërmarrin hapa për kirurgji. /Vjollca Gajraku/Arbresh.info/
I pandalshëm Ronaldo, 39-vjeçari realizon tjetër gol me Port...
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...