Google ADS

Presidenti i Kosovës thotë se dëshiron të “korrigjojë” kufirin me Serbinë

18:48 | 14 Gusht 2018
V. S.

Ridefinimi i kufirit që do të sjellë pjesë të Serbisë me shumicë shqiptare në Kosovë, mund të përfundojë tensionet e vazhdueshme midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe mund t’i lejojë të dyja vendet të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, ka deklaruar Presidenti i Kosovës.

Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për “Reuters” duke thënë se ai do ta paraqes planin e tij para Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kur të takohen në shtator në Bruksel, si pjesë e një dialogu të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

Normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është një kusht kyç për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë drejt qëllimit të tyre përfundimtar të anëtarësimit në BE. Fqinjët e Ballkanit ranë dakord në vitin 2013 për të zgjidhur të gjitha çështjet në pritje, por deri më tani kanë bërë pak përparim.

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra,” ka deklaruar Thaçi, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë)” ka shtuar ai.

Thaçi nuk ka treguar se çfarë mund të marrë Serbia në këmbim për heqjen dorë nga një territor që banohet prej 70,000 shqiptarë etnikë si dhe hodhi poshtë çdo ide për ndarje të Kosovës përgjatë vijave etnike.

Vuçiç sugjeroi javën e kaluar se ishte i përgatitur të bënte kompromis për përcaktimin e kufijve të Serbisë me Kosovën, megjithëse vëzhguesit thonë se të dyja palët mbeten shumë larg. Shumica e serbëve e shohin Kosovën si djepin e kombit të tyre dhe besimit të krishterë orthodhoks.

Vendet perëndimore janë gjithashtu të shqetësuara për çdo ndryshim të kufijve në Ballkan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor ishte “i shenjtë”.

Ambasada britanike në Prishtinë tha se “thirrjet për rivendosjen e kufijve kombëtarë mund të jenë destabilizues”.

Por Thaçi tha se ishte i bindur se vendet perëndimore do të mbështesin çdo marrëveshje të nënshkruar mes tij dhe Vuçiqit, të cilën ai beson se mund të arrihet deri në shkurt 2019.

“Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe ata arrijnë një marrëveshje, BE dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo marrëveshje për korrigjimin e kufirit”, ka thënë Thaçi.

“Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet, do të shmangë krizat dhe do të hapë një perspektivë të BE për të dy vendet” ka shtuar ai./klan kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme