PDK: Me rezolutë në Kuvend do t’i kërkojmë qeverisë t’i kthejë shtesat financiare

18:21 | 22 Prill 2021
A Z

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu ka mbajtur konferencë për media, ku ka kritikuar vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për uljen e shtesave për mjekët, stafin mbështetës shëndetësor dhe për pensionistët.

 Zejnullahu ka thënë se PDK e konsideron skandaloz dhe të ngutshëm këtë vendim të Qeverisë Kurti, në këtë periudhë, kur pritej rritja e mbështetjes ekonomike e financiare për ekonominë e goditur nga pandemia, për mjekët e punëtorët shëndetësorë, si dhe për pensionistët, marrë parasysh shpenzimet për ilaçe që i ka kjo kategori, e cila është edhe më e rrezikuar se grupmoshat tjera nga pandemia.

Deklarata e plotë e Floretë Zejnullahut:

 Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

 Ju faleminderit që keni ardhur në këtë konferencë të vonshme, por mjaft të rëndësishme për interesin e qytetarëve të Kosovës, në rend të parë të  punëtorëve, ekonomive familjare, profesionistëve shëndetësorë dhe pensionistëve të cilët janë prekur më së rëndi nga një vendim i djeshëm i qeverisë së Kosovës.

 Pikërisht kur pritej rritja e mbështetjes për ekonominë e goditur nga pandemia dhe për mjekët e punëtorët shëndetësorë ndodhi e kundërta – qeveria përgjysmoi ndihmën për disa kategori dhe i anuloi krejt për disa të tjera.

 Ne, si Parti Demokratike e Kosovës e kemi marrë me shqetësim këtë vendim të qeverisë Kurti dhe e konsiderojmë skandaloz, të ngutshëm, dhe si një goditje të madhe ndaj heronjve të pandemisë, mjekëve e punëtorëve shëndetësorë dhe ndaj gjyshërve tanë, të cilët fatkeqësisht kanë qenë më të rrezikuarit në këtë kohë të pandemisë.

 Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50 për qind – nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm.

 Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete.

 Po ashtu, ne shprehim shqetësimin lidhur me vendimin tjetër të Qeverisë për uljen e shtesave për pensionistët nga 120 në 100 euro, marrë parasysh shpenzimet për ilaçe që i ka kjo kategori, e cila është edhe më e rrezikuar se grupmoshat tjera nga pandemia.

 Qeveria ka dështuar të mbështesë financiarisht punëtorët, ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura nga pandemia duke u ofruar lëmoshë, por jo mbështetje të njëmendtë.

 Sepse rrjedhoja e vendimit për mbyllje ishte lakorja e pandryshuar e të infektuarve me Covid-19 dhe ngulfatja e sektorit privat,  ndërkohë që pasoja ishte “eksportimi” i parasë jashtë shtetit.

 Ky është përçmimi i radhës që qeveria Kurti i bën qytetarit të Kosovës.

 Mungesa totale e vizionit për të qeverisur, e shoqëruar nga papërgjegjësia dhe populizmi, qytetarin e Kosovës e ka vendosur në limitet e ekzistencës së tij të përditshme.

 222 milionë e katërqind mijë euro, të parapara për zbutjen e situatës me pandemi, të miratuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, janë zëvendësuar me masa sipërfaqësore, përjashtuese e përçmuese nga qeveria Kurti.

 Rreth gjysmë milionë euro mbështetje për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, Inspektorët e AVUK-ut, Doganave dhe ATK-së janë anuluar nga qeveria Kurti.

 Janë ndarë vetëm rreth 4  milionë euro për shtesa për sektorët e rrezikuar direkt nga pandemia, pra sektorin shëndetësor, ndërkaq më herët ishin paraparë 11 milionë euro. Pra, rreth 7 milionë euro më pak.

 Për pagat në gastronomi, shtesat prej 50 % janë neto, ndërsa për mjekët, infermierët, policët këto shtesa janë bruto dhe atë të përgjysmuara.

 Për skemat pensionale janë ndarë mjete 9 milionë euro më pak se sa ishin ndarë me vendimin e mëparshëm e të anuluar.

Pra me këtë logjikë qeverisëse, Qeveria Kurti me vetëdije po e qon drejt kolapsit ekonominë e vendit, po humb vende pune e po rrezikon mijëra familje.

 Me këtë logjikë, Qeveria Kurti po i lë pa përkujdesje shtetërore mjekët, punëtorët shëndetësorë e pensionistët, si disa nga kategoritë më të rrezikuara nga pandemia. 

 Prandaj, të dashur qytetarë,

 Në seancën e ardhshme të  Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të Grupit Paralmentar të PDK-së ku do të diskutohet pikërisht për situatën e pandemisë do të kërkojmë që kategoritë e rrezikuara të stimulohen dhe mbështeten financiarisht, duke përfshirë mjekët, punëtorët shëndetësorë, pensionistët, policët./arbresh.info/

Të ngjashme