Google ADS

“Ngjarje makabre”, prokurori i rastit jep detaje për vrasjen në Pejë dhe të kaluarën e të dyshuarit

12:15 | 16 Prill 2024
R J

Prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli ka dhënë detajet e fundit lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të gruas në Pejë.

Ai tha se bëhet fjalë për një vrasje makabre dhe se rasti është shumë i ndjeshëm.

“Sot rreth orës 08:00 e kemi pranuar  një informacion për kryerjen e një vepre penale, vrasje e rëndë. Menjëherë së bashku me kryeprokurorin dhe zyrtarë e tjerë policor kemi dalur në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë”, ka thënë prokurori Qavolli.

Qavolli konfirmoi se kanë lëshuar urdhrin për autopsinë e së ndjerës, dhe se i dyshuari kryesor për kryerjen e veprës penale është bashkëshorti i viktimës.

“Poashtu në kuadër të veprimeve hetimore, kemi lëshuar urdhrin për autopsinë e së ndjerës. Kemi dyshime fillestare mirëpo për momentin për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të lëshohemi më shumë lidhur me motivet. Edhe lidhur me këtë çështje gjatë fazës hetimore do të ju njoftojmë me kohë për të gjitha informatat që konsiderojmë që janë të rëndësishme për publikun, mirëpo në këtë fazë nuk mund të japim më shumë për mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe lidhur me gjendjen apo trupin e së ndjerës. Është rast shumë i ndjeshëm. Keni parasysh që kemi të bëjmë me privimin nga jeta të bashkëshortes së të pandehurit dhe nuk mund të japim më shumë informata lidhur me mënyrën apo se kush ka qenë prezent në vendin e ngjarjes.”, tha ai.

Tutje ai tha se kanë bërë nxjerrjen e së kaluarës kriminale për të dyshuarin dhe konfirmoi se i njëjti në vitin 2022 e ka pasur një rast të dhunës në familje.

Ai nuk deklaroi nëse tre fëmijët e çiftit kanë qenë të pranishëm në banesë në momentin e krimit, por shtoi se tashmë të tre gjenden tek familjarët e tyre.

“Sigurisht që menjëherë e kemi bërë nxjerrjen e të kaluarës kriminale. Kemi informata që i njëjti ka pasur vepra të dhunës në familje për një rast të mëhershëm në vitin 2022. Fëmija sigurisht që janë tek familjarët. Ata kanë pasur tre fëmijë. Duhet të jenë rreth moshës 45 vjeçare. Është dorëzuar vet menjëherë pas kryerjes së veprës penale”, ka thënë Qavolli para mediave.

Të ngjashme