Ministria e Ekonomisë kërkon nga minatorët t’i kthehen punës, çdo ditë mospune, Trepçës i kushton 40-50 mijë euro

15:14 | 27 Tetor 2023
A Z

Në ditën e katërt të grevës së minatorëve të Trepçës, ka reaguar Ministria e Ekonomisë.

Në reagimin e tyre thuhet se janë të brengosur , pasi që edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të Bordit, nuk janë raportuar informatat në lidhje me organizatorët e grevës, numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në minierë.

Derisa kanë thënë se Bordi i sapo emëruar ka përkrahjen e plotë të Qeverisë, për të mbikqyrur ndërmarrjen, kanë kërkuar nga minatorët që t’i kthehen punës sa më parë.

Sipas tyre çdo ditë që nuk punohet, i kushton shumë ndërmarjes “Trepça”.

Reagimi i plotë:

Përgjatë ditëve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka mbajtur kontakt të rregullt me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve (BpD) të NP Trepça sh.a., të cilët kanë raportuar rregullisht mbi zhvillimet në Trepçë.

Ne jemi të brengosur që përkundër kërkesave të vazhdueshme të Bordit, nuk janë raportuar informatat në lidhje me organizatorët e grevës, numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në minierë.

Nga Bordi jemi informuar se kërkesat e grevistëve fillimisht, më datë 24 tetor 2023, kanë qenë si vijon:

“1. ekzekutimi i pagave për muaj të bëhet nga data 1 deri me datën 10 në muajin pasues;

2. shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryesheshefit aktual dhe mos emërimi i ndonjë kryeshefi të harxhuar;

3. menaxhmenti i ardhshëm të mundësoj sigurim shëndetësor;

4. menaxhmenti i ardhshëm të siguroj mjete dhe kushte më të mira të punës.”

Sa i përket pagave për muajin shtator, Qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro për Trepçën një ditë para se të fillonte greva, pra më 23 tetor 2023, ndërsa ndërmarrja ka ekzekutuar pjesën e mbetur të pagave më 25 tetor (një ditë pas fillimit të grevës).

Pas pagesës së pagave dhe shpjegimit që është dhënë nga Bordi me kërkesa të tjera, më 25 tetor Bordi është informuar se e vetmja ankesë aktive mbetet shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeshefit.

Në lidhje me këtë, Bordi ka informuar punonjësit se vlerësimi dhe emërimi i Krhyeshefit është kompetencë ekskluzive e Bordit, dhe kanë garantuar se vlerësimi i performancës i të gjithë zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes është duke u bërë në përputhje me ligjin. Ata gjithashtu kanë shprehur qëndrimin e qartë që të gjitha vendimet në lidhje me ndërmarrjen do merren vetëm në bazë të argumenteve dhe fakteve, konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ndihmojë Trepçën dhe të gjitha ndërmarrjet publike, në të mirë të zhvillimit të tyre dhe ekonomisë së vendit, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe kushteve të punës për punonjësit. Përgjatë katër viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka mbështetur fuqishëm Trepçën, përmes subvencioneve me vlerë mbi 28 milionë euro për investime kapitale e shpenzime operative për paga e energji elektrike. Nga ana tjetër, presim ligjshmëri, bashkëpunim e përkushtim maksimal nga ndërmarrjet publike: bordet e tyre, menaxhmeti dhe punonjësit, sepse vetëm kështu mund të arrijmë synimet tona të përbashkëta.

Në Prill të këtij viti, Qeveria ka miratuar në parim një kredi investive prej 20 milionë euro për Trepçën. Ne shpresojmë që kushtet për disbursim të kredisë do të plotësohen shpejt dhe për këtë jemi në bashkëpunim me ndërmarrjen dhe palët tjera. Në këtë drejtim, nga ndërmarrja presim fuqizimin e mëtejmë të kontrollit të brendshëm financiar e operativ.

Ne jemi të bindur që me ndihmën e Qeverisë dhe angazhimin e plotë të ndërmarrjes, Trepça ka një të ardhme të ndritur, siç e meriton ndërmarrja, minatorët, Mitrovica, e gjithë vendi. Bordi i sapo emëruar ka besimin dhe përkrahjen e plotë të Qeverisë për të mbikëqyrur efektivisht ndërmarrjen, për të marrë vendimet e duhura dhe për të zgjidhur sfidat operative e financiare. Lusim minatorët dhe punonjësit tjerë të Trepçës për bashkëpunim, dhe që ata t’i kthehen punës sa më parë sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë sukses dhe të përmbushim qëllimet tona të përbashkëta për një Trepçë më të fortë, për punonjësit e saj, për vete e për shtetin tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme