Maqedonci priti në takim homologun italian, u bisedua rreth situatës së sigurisë në vend

13:12 | 29 Mars 2024
K.B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ceremoni zyrtare, të shoqëruar nga togu ceremonial i FSK-së, sot priti në takim homologun e tij nga Italia, ministrin Guido Crosetto.

Po ashtu, në këtë takim ishte zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, drejtori i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Siguri, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes njofton se në këtë takim miqësor, u bisedua rreth situatës së sigurisë në vend, si dhe format se si mund të zgjerohet bashkëpunimi në fushën e shkollimit si dhe trajnimit të ushtarakëve, e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“Me këtë rast, Maqedonci kërkoi mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, ku ministri Crosetto konfirmoi mbështetjen e pakursyer të Italisë. Të dy u dakorduan se Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Maqedonci e falënderoi homologun e tij, për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it.

Po ashtu, delegacioni italian u njoftua rreth mbështetjes që Kosova është duke i ofruar Ukrainës, përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktike e predhave që pritet të dërgohen së shpejti./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme