Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thotë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.
Ai thotë se është inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd, ku, siç shprehet, ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun.
Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re, sepse, sipas tij, të dy bartësit e dialogut tani kanë mandat shumë të fuqishëm.
Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ka zgjatur mandatin e Lajçakut deri në gusht të vitit 2022.
Kosova, së voni, është bërë me Qeveri të re dhe kjo është pikërisht ajo që ju duhet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kur mund të presim takimin e parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq?
Mirosllav Lajçak: Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova, ashtu siç jemi marrë vesh edhe me zotin Kurti, duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai [Kurti] më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel, për t’u takuar me presidentin Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet.
Tani do të keni bashkëbisedues të rinj nga Prishtina. Në mesin e tyre ka të tillë që mendojnë se duhet rifillim i dialogut dhe jo vazhdim i procesit që ka ngecur në shtator. Si e imagjinoni ju këtë takimin e parë midis kryeministrit të ri të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në kontekstin e procesit që udhëhiqni tashmë një vit?
Mirosllav Lajçak: E rëndësishme është se gjatë qëndrimit tim të fundit në Prishtinë dhe Beograd, partnerët më kanë konfirmuar se e dinë mirë rëndësinë e dialogut dhe se janë të gatshëm të vazhdojnë me këtë proces. Natyrisht se dialogu është jo vetëm [proces] i normalizimit të marrëdhënieve, por edhe platformë ku zgjidhen problemet që sjell jeta. Po, kemi ekip të ri dhe kur jam takuar me zotin Kurti në Prishtinë, më ka thënë se duhet të njoftohet me tërë procesin, me atë që është rënë dakord dhe ky ka qenë edhe një nga qëllimet kryesore të vizitës sime. Jemi pajtuar që të takohemi edhe një herë pasi të njoftohet [me procesin], në mënyrë që të merremi vesh se si të vazhdojë procesi.
Unë tani pres takimin e radhës, për të diskutuar se në çfarë forme do të vazhdojmë, sepse ajo që është dakorduar, është dakorduar nga Qeveria e kaluar. Duhet të shohim se në çfarë mase do të identifikohet Qeveria e re me atë që është rënë dakord, apo do të vijë me propozime të reja. Natyrisht se agjenda, përmbajtja e bisedimeve përcaktohet nga dy palët, Prishtina dhe Beogradi.
“Nuk kemi kohë për të humbur”
A keni ndonjë afat kohor, deri kur do të prisni? Kjo që thatë kërkon kohë, ndërsa dialogu ka ngecur gati që një vit.
Mirosllav Lajçak: Kemi pasur një periudhë mjaft produktive midis korrikut dhe shtatorit të vitit të kaluar. Pastaj, situata politike në Kosovë nuk ka qenë e tillë që të lejonte vazhdimin e bisedimeve për këto tema. Tani, siç e thashë, kemi garanci se të dyja palët janë të gatshme të vazhdojnë. Nuk kemi kohë për të humbur, sepse kalendari politik është i tillë që nuk ka zgjedhje të mëdha, nuk ka në Serbi, ka zgjedhje lokale në Kosovë në vjeshtë. Kështu që, duhet ta shfrytëzojmë këtë kalendar politik dhe, siç e thashë, t’iu qasemi bisedimeve pa shtyrje. Kryeministri Kurti i ka marrë këto mesazhe nga partnerët e tij evropianë, nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, [Josep] Borrell. Ai e di se kjo [vazhdimi i dialogut] pritet nga ai.
Unë kam thënë se nuk duam asgjë në mënyrë artificiale; natyrisht se duhet të formohen të gjitha institucionet e nevojshme. Kemi Qeverinë, kemi Kuvendin dhe duhet të zgjidhet edhe presidenti [i Kosovës]. Mendoj se kemi edhe bashkëbiseduesin kryesor. Në ekip, mendoj se do të mbeten pak a shumë edhe njerëz që e kanë udhëhequr këtë proces deri tash – pra, ajo përvoja historike. Andaj, mendoj se nuk ka arsye që të mos vazhdojmë brenda disa javësh.
Kur jemi te kalendari dhe afati prej disa javësh, mandati juaj skadon më 31 mars. Kur Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq të vijnë në selinë e BE-së, a do të takojnë Mirosllav Lajçakun apo dikë tjetër?
Mirosllav Lajçak: Duket se po, sepse, të premten e kaluar, Këshilli Evropian ma ka zgjatur mandatin deri në fund të gushtit të vitit 2022, pra për 17 muaj. Prandaj, mendoj se kemi kohë të mjaftueshme për një punë serioze.
Nga Prishtina do t’ju vijë një person që zyrtarisht e ka mbështetur më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës. Sa e lehtëson kjo procesin, në kuptimin e asaj që ajo që do të dakordohet, do të miratohet nga institucionet dhe shoqëria e Kosovës?
Mirosllav Lajçak: Kjo është shumë e rëndësishme. Natyrisht, mbështetja që ka fituar zoti Kurti në zgjedhje është vërtet historike: janë të papara mbi 50 për qind e votave. Kjo i jep fuqi të negociojë, të merret vesh dhe ajo që dakordohet, të realizohet. Kjo është shumë e rëndësishme. E dimë mirë se edhe presidenti Vuçiq ka pozicion shumë të fuqishëm në Serbi. Pra, kemi dy partnerë që kanë mandate shumë të fuqishme. Kjo do të jetë një situatë e re.
Zoti (Avdullah) Hoti [ish-kryeministri i Kosovës] ka qenë përgjegjës, konstruktiv, partner shumë serioz, por fuqia e tij politike ka qenë më e vogël dhe ky po që ka qenë një faktor.
Zoti Hoti ka pranuar që të hapet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nuk ka pasur mbështetje politike që të kthehet sërish në Bruksel dhe t’i vazhdojë këto negociata. Por, ju në disa raste keni thënë se çështja e Asociacionit është e pashmangshme në procesin që udhëhiqni. A qëndroni ende pas kësaj?
Mirosllav Lajçak: Ekziston një parim shumë mirë i njohur i së drejtës ndërkombëtare, që thotë “pacta sunt servanda” – ajo që është dakorduar, duhet të realizohet. Kjo është ajo që mund të them. Për këtë [Asociacionin] është rënë dakord shumë kohë para ardhjes sime, më 2013, më 2015. Nuk mund të sillemi sikurse kjo nuk ekziston. Pres negociata se si të realizohet kjo.
Ndryshimi i kufijve në baza etnike “nuk është koncept i shekullit 21”
Kanë ekzistuar disa tema që palët i kanë hapur. Nuk janë pajtuar për to, por kanë pranuar të flasin. E kam fjalën për shkëmbimin e territoreve. Bartësit e atëhershëm të procesit, Hashim Thaçi, që nuk është më i pranishëm as fizikisht, as politikisht në Kosovë, dhe Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar se në një moment kanë biseduar për mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Paraardhësja juaj, Federica Mogherini, ka lejuar hapjen e kësaj teme, duke e arsyetuar me faktin se Bashkimi Evropian nuk do të pengojë çfarëdo që palët merren vesh. Ju, atëbotë, keni qenë ministër i Jashtëm i Sllovakisë dhe e keni kundërshtuar këtë ide. Tani, si përfaqësues i BE-së, a mbeteni pas qëndrimit që keni pasur në Bratislavë apo do të lejoni hapjen e temave kontroverse, nëse palët bien dakord?
Mirosllav Lajçak: Unë nuk i kam ndryshuar qëndrimet e mia. Unë nuk mendoj se roli i Bashkimit Evropian në këtë proces është të marrë shënime. Roli i Bashkimit Evropian është të sigurojë se procesi [i negociatave] është evropian, është proces i shekullit 21, është proces që e afron Kosovën dhe Serbinë me Bashkimin Evropian. Ndryshimi i kufijve në baza etnike nuk është koncept i shekullit 21, nuk është koncept mbi të cilin është ndërtuar BE-ja. Andaj, unë vërtet ndjej se roli im dhe i BE-së është të kërkojmë zgjidhje që janë evropiane.
Unë jam i bindur se ndryshimi i kufijve do të thoshte hapje e Kutisë së Pandorës, që gjë do të ishte shumë e rrezikshme dhe, në të njëjtën kohë, do të nënkuptonte se BE-ja, në njëfarë mënyre, ka hequr dorë nga ambicia e saj për të tërhequr rajonin e Ballkanit Perëndimor në radhët e veta, duke ndërtuar standarde evropiane, kulturë evropiane. [Në të kundërtën] do të shkonim në një drejtim tjetër, në një drejtim shumë të rrezikshëm. Derisa unë të jem në këtë detyrë, do të përpiqem, do të angazhohem dhe garantoj që të gjitha zgjidhjet janë zgjidhje evropiane dhe përafrojnë Serbinë e Kosovën me BE-në, e jo e kundërta.
REL: A do të thotë kjo se ju, si ndërmjetësues apo lehtësues, nuk do të lejoni hapjen e asaj që konsideroni Kuti të Pandorës, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për shkëmbimin e territoreve apo ndonjë temë tjetër që do të shkaktonte kundërthënie të tilla?
Mirosllav Lajçak: Nuk mendoj se duhet të jap ndonjë deklaratë të fuqishme, sepse kjo çështje nuk është në rend dite, nuk është në tryezë dhe nuk do të kalonte. Andaj, askush nuk e vë në tryezë, sepse i kemi parë reagimet që kanë qenë në rajon. Reagime të fuqishme negative. Partnerët janë realistë dhe e dinë mirë se duhet të gjejmë zgjidhje që e ndihmojnë stabilizimin e rajonit dhe evropianizimin e mëtejshëm të tij. Andaj, nuk duhet të them se nuk do të lejoj, sepse nuk ka çfarë të mos lejoj, sepse atë [shkëmbimin e territoreve] momentalisht askush nuk e propozon.
Keni thënë se angazhoheni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura midis dy palëve. Po ashtu keni thënë se do të pajtoheni për gjithçka, derisa nuk merreni vesh për marrëveshjen e plotë. Në mandatin tuaj ka të reja në kuptimin se ju bisedoni për elemente, që në fund do të rrumbullakohen me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Si e shihni ju atë marrëveshje? Si e imagjinoni tekstin e asaj marrëveshjeje midis palëve? Cilat do të jenë ato çështje që do të zgjidhen njëherë e përgjithmonë midis Prishtinës dhe Beogradit?
Mirosllav Lajçak: Unë nuk do t’i prezantoja publikisht ato çështje, por mund të them se presidenti Vuçiq dhe kryeministri [i atëhershëm] Hoti janë dakorduar vitin e kaluar, me ndërmjetësimin tonë. Të dyja palët e kanë ditur saktësisht se për çfarë negociohet, se sa hapa çojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Tani natyrisht se duhet të dëgjojmë nga administrata e re në Kosovë, se në çfarë mase identifikohet me ato marrëveshje apo me atë plan, me atë program, a ka propozime apo elemente të reja, në të cilat edhe ka të drejtë…
Nuk është Bashkimi Evropian ai që vendos se cili do të jetë rezultati, janë Beogradi dhe Prishtina që merren vesh, ndërsa ne jemi aty për të ndihmuar. Andaj, siç e thashë, po hyjmë në një fazë të re dhe duhet të presim takimin e parë të dy udhëheqësve, për të ditur më saktësisht nëse ka ndonjë ndryshim në këtë proces.
Kur jeni emëruar vitin e kaluar, ka ekzistuar edhe një proces dialogu, që e ka udhëhequr Uashingtoni. Ju madje jeni pritur me “dush të ftohtë” nga administrata e atëhershme amerikane dhe marrëdhëniet Bruksel-Uashington kanë qenë krejtësisht të polarizuara. Tani kemi një administratë të re, e cila në disa raste ka konfirmuar se e mbështet plotësisht dialogun e Brukselit dhe përpjekjet tuaja personale. A është e mjaftueshme që Uashingtoni të dalë me vetëm këto sinjale pozitive të mbështetjes apo prisni që gjatë procesit të ketë një rol më aktiv të zyrtarëve amerikanë?
Mirosllav Lajçak: Mendoj se kemi sinjale mjaft të fuqishme që vijnë nga administrata e tanishme amerikane, që tregojnë se ata e mbështesin Bashkimin Evropian, e mbështesin procesin e zgjerimit, e mbështesin dialogun, e mbështesin misionin tim. Kjo nuk do të jetë pasive. Ata e bëjnë këtë edhe në mënyrë aktive, pra në komunikim me partnerët. Nuk dua të kthehem në të kaluarën, por e kam parë se sa keq e ka pranuar rajoni kur ka vënë re se Brukseli dhe Uashingtoni nuk flasin me gjuhën e njëjtë. Natyrisht se kjo ka qenë në dëm të të gjithëve.
Mua më vjen shumë mirë që sërish jemi në një situatë, në të cilën jemi mësuar të jemi gjatë viteve të kaluara, duke punuar nga afër me Uashingtonin. Edhe Uashingtoni shfrytëzon ndikimin e tij për të përsëritur filozofinë e njëjtë, parimet e njëjta, që i kemi edhe ne. Mendoj se kjo është shumë mirë për rajonin.
Megjithatë, në Uashington është arritur një marrëveshje, që quhet Marrëveshja e Uashingtonit. Përfaqësuesit e administratës së re amerikane, në paraqitjet publike, nuk i referohen më atij dokumenti. Ende nuk ka konfirmim se si do t’i qasen asaj marrëveshjeje. Por, çfarë do të thotë ajo marrëveshje për ju dhe për përpjekjet tuaja në dialogun e Brukselit?
Mirosllav Lajçak: Nuk më takon mua të komentoj diçka që është realizuar në Uashington. Por, dua të them se nuk ka kurrfarë konkurrence dhe disa pika në ato dokumente për obligimet politike që lidheshin me dialogun, nuk shihen më si konkurrencë për procesin tonë. Është shumë e rëndësishme që administrata amerikane është plotësisht me ne dhe mbështet procesin që udhëheq BE-ja. Kjo është shumë e rëndësishme.
Në disa raste keni thënë se marrëveshja gjithëpërfshirëse mund të arrihet brenda disa muajsh. Tani thoni se mandati juaj është zgjatur deri në gusht të vitit 2022. A është kjo ndonjë shenjë se palët nuk do të mund të merren vesh dhe se do të keni shumë punë gjatë një viti e gjysmë apo edhe më gjatë?
Mirosllav Lajçak: Kam bërë përpjekje disa herë që ta shpjegoj tezën time. Do të provoj edhe një herë. Unë kam thënë se teknikisht, në një botë ideale, ajo për të cilën duam të pajtohemi – nëse kemi përpjekje të plota nga të dyja palët – mund të arrihet brenda disa muajsh. Nuk na duhen dhjetë vjetët e ardhshëm, as pesë, as tre. Por, po ashtu kam thënë se për shpejtësinë e procesit vendosin dy palët, pra Serbia dhe Kosova. Ne jemi këtu, unë jam këtu, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Ne jemi të gatshëm të shkojmë me shpejtësinë me të cilën shkojnë dy palët./REL/
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetit...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prish...
Masat e BE-së ndaj Kosovës, Rama: Duhet të hiqen- Barra duhe...
Bashkimi Evropian dërgon në Kosovë vëzhgues për zgjedhjet e ...
Diplomatët amerikanë vizitojnë Sirinë për herë të parë pas r...