12:52 | 27 Qershor 2021
Përparim Bublaku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qindra mira vaksina anti-Covid do të vijnë në javët në vazhdim si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar me Pifzer, por edhe nga donacionet.
Kurti që është edhe kryetari Vetëvendosjes, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie , tha se mund ta mbajnë kokën lartë sa i përket menaxhimit të pandemisë, ku më nuk jemi pa asnjë vaksinë.
Për këtë ai meritat ia ka atribuuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ndërsa ka akuzuar Qeverinë Hoti se për fushatë elektorale gënjente se kanë nënshkruar marrëveshje për sigurimin e vaksinave.
“Sa i përket pandemisë, mund ta mbajmë kokën lart, edhe për faktin se nuk jemi më në atë situatën fatkeqe ku e gjetëm vendin, me zero vaksina të siguruara dhe me qeverinë e atëhershme që gënjente opinionin publik sa për fushatë elektorale, kinse ka arritur të bëjë kontrata. Para tre muajve kur e rimorëm detyrën kishim mbi 10 vdekje në ditë e me shumë qindra të infektuar përditë që nuk përbënin më lajm. Sot, është lajm kur kemi edhe vetëm një të vdekur nga COVID-19, kurse numri i rasteve aktive për 100 mijë banorë ka rënë nën 10. Kosova, të cilën e gjetëm shumë prapa vendeve të tjera, me qeverinë tonë ka arritur të sigurojë donacione e kontratë të mjaftueshme për të arritur synimin që i kemi vendosur vetes: vaksinimin e 60% të popullsisë brenda vitit 2021. Vaksinimi masiv tashmë ka filluar, janë shpërndarë mbi 200.000 vaksina, ndërkohë që qindra mijëra vijnë javëve në vijim nga kontrata me Pfizer dhe jo vetëm. Merita më e madhe për sigurimin e vaksinave përmes donacioneve apo kontratave, i shkon sigurisht Ministrisë së Shëndetësisë, ministrit dhe aktivistit të Lëvizjes, Arben Vitisë, dhe ekipit të tij”, tha Kurti, raporton arbresh.info.
Ai gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për zhvillimin ekonomik ku ka thënë se janë rritur eksportet si dhe parashihet rritja ekonomike deri në 7.9 përqind.
Kurti si pjesë të ndihmës për bizneset ka përmendur themelimin e Gjykatës Komerciale, vendimi për të cilën është marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Ai po ashtu ka thënë se vendimi që të paguhet polisat e sigurimit nga Qeveria për mërgimtarët ka qenë i domosdoshëm.
Kryeministri ka folur edhe për bordet në agjencitë e ndërmarrjet publike në të cilat ka thënë se nuk të emëruar politik por njerëz profesionistë.
Sa i përket dialogun më Serbinë ai ka përmendur 4 propozimet qi i ka dhënë në Bruksel.
Kurti ka thënë se me Qeverisjen e VV-së, janë shtuar vizitat e zyrtarëve të Kosovës jashtë vendit, duke përmendur vizitat e tij e të Konjufcës dhe Osmanit, por edhe vizitat e zyrtarëve të huaj në Kosovë./arbresh.info/
Fjalimi i plotë i Kurtit:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, i nderuar kryetar i Këshillit, z. Hydajet Hyseni, të dashur aktivistë,
Dëshiroj të përshëndes punimet e kësaj mbledhjeje XLIV të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të uroj që të gjithë ju të jeni mirë me shëndet vetë, dhe familjet e të dashurit tuaj.
Jemi subjekti politik i cili ka zhvilluar pakrahasimisht më shumë dhe më rregullisht mbledhjet e organit të tij kryesor vendimmarrës, Këshillit të Përgjithshëm, sepse jemi subjekt i cili e kultivon dhe respekton statutin dhe demokracinë e brendshme, ashtu siç zhvillon dhe përparon edhe demokracinë në nivel shtetëror, tash që jemi në krye të qeverisjes së vendit.
Edhe pse pandemia vazhdon të jetë një problem global, ne nuk e kemi ndalur veprimtarinë demokratike brendapartiake, por vetëm sa e kemi përshtatur atë. Prandaj as sot nuk po takohemi në një sallë të përbashkët, por jemi lidhur përmes platformës virtuale nga të gjitha qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë, Shqipëri e në mërgatë.
Sa i përket pandemisë, mund ta mbajmë kokën lart, edhe për faktin se nuk jemi më në atë situatën fatkeqe ku e gjetëm vendin, me zero vaksina të siguruara dhe me qeverinë e atëhershme që gënjente opinionin publik sa për fushatë elektorale, kinse ka arritur të bëjë kontrata. Para tre muajve kur e rimorëm detyrën kishim mbi 10 vdekje në ditë e me shumë qindra të infektuar përditë që nuk përbënin më lajm. Sot, është lajm kur kemi edhe vetëm një të vdekur nga COVID-19, kurse numri i rasteve aktive për 100 mijë banorë ka rënë nën 10. Kosova, të cilën e gjetëm shumë prapa vendeve të tjera, me qeverinë tonë ka arritur të sigurojë donacione e kontratë të mjaftueshme për të arritur synimin që i kemi vendosur vetes: vaksinimin e 60% të popullsisë brenda vitit 2021. Vaksinimi masiv tashmë ka filluar, janë shpërndarë mbi 200.000 vaksina, ndërkohë që qindra mijëra vijnë javëve në vijim nga kontrata me Pfizer dhe jo vetëm. Merita më e madhe për sigurimin e vaksinave përmes donacioneve apo kontratave, i shkon sigurisht Ministrisë së Shëndetësisë, ministrit dhe aktivistit të Lëvizjes, Arben Vitisë, dhe ekipit të tij.
Por nuk ka qenë vetëm kjo. Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, në Kosovë janë rritur për 66% eksportet, krahasuar me vitin e kaluar, është shtuar për 15% aktiviteti ekonomik, e po ashtu janë rritur me 30% të hyrat buxhetore. Perspektiva ekonomike lë hapësirë për të qenë optimistë. Rritja ekonomike sivjet shkon në 7,9% të BPV. Kjo tregon se çfarë eksternalitetesh pozitive në ekonomi ka procesi dhe rezultati demokratik zgjedhor.
Qeveria jonë i ka ndërmarrë disa hapa për të nxitur afrimin e investimeve nga mërgata, duke planifikuar emetimin e bonove të investimit për mërgatën. Përmes bonove të investimit, kapitali i mërgimtarëve shqiptarë do të mund të investohet në sektorë strategjikë, me garanci shtetërore e me përfitim për vetë investuesit por edhe për shtetin tonë. Për të treguar dashamirësi e falënderim ndaj njerëzve tanë që mbajnë mbi shpinë peshë të madhe në ekonominë e Kosovës, ne kemi marrë vendim që të mbulojmë policën kufitare për veturat e mërgimtarëve që do të vijnë në Kosovë. Kjo ka qenë e domosdoshme, sepse mërgimtarët marrin përsipër të udhëtojnë në një moment të papërshtatshëm, si ky i pandemisë, kur janë rritur shumë kostot e udhëtimit, prandaj ne kemi vendosur t´ua heqim një barrë. Ata që vijnë me vetura bëjnë rrugë të gjatë dhe është dashur që të kursejnë që të mos fluturojnë me aeroplana.
Që ekonomia të rritet e që të vijnë investimet e rëndësishme për të cilat jemi duke punuar, ne duhet që të lehtësojmë problemet e biznesit. Në këtë aspekt një hap i rëndësishëm ka qenë projektligji për Gjykatën Komerciale, që e kemi kaluar para pak ditësh. Kjo do t´u mundësojë bizneseve qasje të shpejtë në gjyqësi të pavarur, sepse mbingarkesa e gjykatave civile ka shkaktuar vonesa të mëdha, me të cilat nuk dëshiron të përballet asnjë investitor vendor apo i huaj.
Po ashtu, qeveria jonë është duke vepruar energjikisht në çkapjen e agjensive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike. Në dhjetëra borde e qindra anëtarë të cilët po ndërrohen, asnjëri prej tyre nuk është politik apo anëtar i Lëvizjes, por janë të zgjedhur vetëm në aspektin profesional, për të kryer detyrën me përgjegjësi dhe paanshmëri. Për personat politikë, ka hapësirë në pozitat politike, pra në ato të bashkëpunëtorëve të emëruar. Sa i përket pozitave që janë me konkurs, ne u kemi bërë thirrje të gjithë personave të interesuar, që kanë studiuar jashtë apo brenda vendit, që të aplikojnë. Intervistat e tyre do të jenë transparente, profesionale dhe korrekte në mënyrë që të mos favorizohet apo diskriminohet askush por që të vendoset meritokracia e plotë.
Përmes inspektimit të hollësishëm të projekteve të infrastrukturës, ne po ia kursejmë shtetit dhjetra miliona euro të cilat po shpenzoheshin pa arsye. Projektet infrastrukturore do të bëhen, me cilësi të lartë, por me një kosto shumë më të ulët. Në të njëjtën kohë, do të hetohen prej organeve përkatëse se përse më përpara janë lidhur kontrata me çmim më të madh nga ai i tregut.
Sa i përket politikës së jashtme, Kosova është duke zhvilluar një diplomaci intensive dhe shumë më cilësore se në vitet e shkuara. Kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtarë e kryediplomatëve nga jashtë, si dhe pritje jashtë vendit të Presidentes Osmani, Kryeparlamentarit Konjufca, Kryeministrit, Ministres së Jashtme Gërvalla dhe qeverisë së Kosovës në përgjithësi. Së fundmi unë u prita nga presidenti i Francës Macron, patëm në Kosovë mysafir ministrin e jashtëm të Italisë Di Maio, kryeparlamentari Konjufca ka vizituar kryetarin e Bundestagut Schauble, kemi qenë në takime në Vjenë e Bruksel, dhe jemi duke zhvilluar një partneritet edhe më të fortë me ShBA-të, ku së fundmi kemi biseduar me ta për një kontratë për blerjen e dronëve dhe armatimit të teknologjisë së fundit për ushtrinë e Kosovës. Kosova është një shtet i përkushtuar për paqe, demokraci dhe fqinjësi të mirë, dhe duke mbajtur parasysh vetëm këto principe, ne do të ecim krah për krah me aleatët e partnerët tanë në rrugën e integrimit veriatlantik dhe evropian.
Sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë, ato për ne janë esenciale dhe do të zhvillohen si të tilla. Ne kemi marrë vendimin si qeveri që për shtetasit e Shqipërisë të hiqet detyrimi për lejeqëndrim të përkohshëm, në mënyrë që ata të punësohen pa problem në Kosovë. Prioritet për qeverinë tonë është zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit që Kosova i ka patur me Shqipërinë por që kurrë nuk janë zbatuar. Bashkëpunimi me Shqipërinë e partnerë të tjerë në fushën e rendit publik, ka bërë të mundur që kohët e fundit të kapen sasi rekord të narkotikëve të trafikuar. Mesazhi që ne duam të japim është se ka marrë fund koha kur Kosova mund të konsiderohet një vend ku tolerohet kriminaliteti.
Sa i përket raportit me Serbinë, ju të gjithë tashmë i dini katër propozimet të cilat i kemi dhënë më herët, e që janë theksuar edhe nga takimi i 15 qershorit në Bruksel. Por sot me lejoni të potencojë katër qendrime të rëndësishme për ecjen përpara.
Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare.
Dhe, marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, nga pikëpamja e bindja jonë, atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.
E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dijnë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjelltë.
Dhe, e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis. Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë.
Këto katër qëndrime që i potencova sot sigurisht se janë udhërrëfyes të vlefshëm për ecjen e drejtë dhe të mirë përpara.
Në vjeshtë do të jenë zgjedhjet lokale në Kosovë. Data është caktuar: 17 tetori. Është detyra jonë, e të gjithë neve, që në këto zgjedhje të punojmë sa më pranë me qytetarët, për të fituar mundësisht pa balotazh. Gjasat i kemi të mëdha thuajse në të gjitha komunat. Duhet të ja mësyejmë e t’i fitojmë 3/4 e komunave. Qytetarët duhet ta përjetojnë qeverisjen e mirë, që sjell rregull e zhvillim urban, që sjell investime dhe punësim, sidomos në nivel lokal. Por, për këtë na duhet punë dhe angazhim i madh. Zgjedhjet lokale që patëm në dimrin e shkuar në Podujevë, na e dhanë sinjalin e parë, aty fituam pa balotazh. Por punuam shumë, dhe e patëm kandidatin e përshtatshëm e të mirë. Njësoj duhet të veprojmë edhe tani.
Në këto zgjedhje lokale jo vetëm që jemi të gatshëm, por edhe synojmë, që të bashkëpunojmë me Listën GUXO, sikurse për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Kemi dëshmuar sinqeritet e seriozitet me punë e aktivizëm të përbashkët, një model suksesi përmes efektit sinergjik, të cilin e kemi për detyrë ta kultivojmë e ta forcojmë. Andaj, kontaktoni e komunikoni, takohuni e bashkohuni në terren, duke u angazhuar që të gjithë sa më shumë dhe anembanë Kosovës.
Është e rëndësishme që nëpër qendrat tona të shmangen rivalitetet e brendshme që lidhen me figura apo grupe të caktuara. Aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin. Aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin. Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet publike apo vetëkandidimet pompoze, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku me ndokend.
Pushteti nuk duhet të na ndryshojë, por për të mos rënë pre e ndryshimit, duhet t´ia kujtojmë vetes vazhdimisht idealet tona, dhe sakrificat e dëshmorëve. Ne duhet të jemi vazhdimisht syhapur, dhe të sinjalizojmë parregullsitë në raport me qeverisjen dhe administratën, siç janë edhe qytetarët në vendet e zhvilluara evropiane e perëndimore. Vetëm ashtu do të mund ta zhvillojmë e fuqizojmë vendin tonë.
Të dashur aktivistë dhe të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo verë kaq e nxehtë, nuk është koha më e përshtatshme për pushime. Ju po e shihni se si po sulmohet Lëvizja me luftë speciale shpifjesh e të pavërtetash. Arsyeja është se duan që të mos e përsërisim rezultatin e 14 shkurtit. Por ne duhet ta konfirmojmë fitoren tonë, ndërsa partive të tjera duhet t´u japim mesazhin se do të mund të keni rezultate më të mira, vetëm kur të largojnë korrupsionin nga mesi i tyre e të reformohen thellë.