Google ADS

Korniza e Përgjithshme e Marrëveshjes| Çfarë do Kosova, e çfarë do Serbia?

07:58 | 20 Gusht 2022
K.B

Një Kornizë e Përgjithshme e Marrëveshjes me Serbinë u përmend para e pas takimeve të përbashkëta, e të ndara, ndërmjet palëve të përfshira në negociatat Kosovë-Serbi.

Kryeministri, Albin Kurti, ishte ai që nxiti diskutimin drejtë kësaj kornize, por pa specifikuar se çfarë konkretisht bëhet fjalë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk ka komentuar më tepër se sa është deklaruar kryeministri Kurti.

“Nuk ka diçka më shumë për momentin”, deklaroi Kryeziu për arbresh.info.

Vetë Kurti, pas takimit të kaluar me Vuçiqin, pati bërë të ditura katër pikat kyçe të diskutimit, por kësaj radhe nuk ka publikuar diçka konkrete se çfarë mund të përfshijë kjo kornizë.

“Kryeministri Kurti duhet t’i tregojë ato pika, ose në Kuvend ose kudo para qytetarëve”, vlerëson njohësi i rrethanave politike në vend, Gazmir Raci.

Ai shton se në Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes, pa diskutim se do të jetë edhe njohja reciproke, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

“Nuk ka diçka publike. Është thënë se janë gjashtë ose shtatë pika që janë vendosë në tavolinë. Munden me qenë marrëveshjet e hapura deri më tani, të pa implementuara, asociacioni, çështja e kadastrit e diplomave, të pagjeturit. Mund të jenë reperacionet e luftës, trashëgimia kulturore e plaçkitur, fondet pensionale, suksesioni nga Federata Jugosllave. Do të ishte mirë të përfshihej edhe një traktat i paqes. Mund të përfshihet edhe kufiri, meqë do të jetë kusht edhe në negociatat për anëtarësim. Kur është bërë IBM, ka qenë ideja me u përdorë edhe për demarkim”, deklaroi Raci derisa komentoi kërkesat që mund të ketë Kosova.

Sa i përket Serbisë, sipas Racit, mund të insistojë në kompetenca speciale për kishën ortodokse.

“Ligji për liritë fetare i rehaton problemet me kishën ortodokse, dhe ka qenë i dakorduar edhe me kishën ortodokse”, thotë Raci.

Ai thekson se serbët do të insistojnë që arsimi dhe shëndetësia të kenë kompetenca ekzekutive në kuadër të Asociacionit të Komunave Serbe.

“Aktualisht strukturat paralele janë në arsim dhe shëndetësi. Ata i shfrytëzon Serbia për barrikada e trazira. Është problem që nuk është adresuar asnjëherë. Me ‘Ahtisarin’ është e rregullune, vetëm se kurrikulat duhet të miratohen në Ministrinë e Arsimit dhe financimi të shkojë përmes buxhetit të Kosovës, dhe jo Serbisë”, vlerëson Raci.

Sipas ‘Pakos së Ahtisarit’, të gjitha komunat në të cilat komuniteti serb është shumicë do të kenë shkollat të cilat ofrojnë mësim në gjuhën serbe mund të zbatojnë plan programe apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, me njoftim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës.

Sipas kësaj pakoje, Komuna e Mitrovicës Veriore, e Graçanicës dhe e Shtërpcës do të kenë kompetenca për ofrimin e kujdesit shëndetësor sekondarë, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, punësimin, pagimin e rrogave dhe trajnimin e personelit dhe administratorëve të kujdesit shëndetësor.

Kosova asnjëherë nuk ka marrë në kontroll këto dy fusha në komunat me shumicë serbe, pavarësisht përfshirjes në këtë pako, ku përfshihet edhe çështja e Kishës Ortodokse Serbe që ka në mbrojtje 20 manastire,17 kisha, Patrikanën e Pejës, Monumentin memorial të Gazimestanit, Kështjellën Mesjetare të Zveçanit, Qytetin Mesjetar të Novobërdës, Urën Mesjetare të Vojnoviqëve në Vushtrri dhe memorialin Vetmia e Petrit të Shenjtë në Korishë të Prizrenit.

Sa i përket çështjes së pakicave, kryeministri Kurti, shprehet vazhdimisht qartë se do të ketë reciprocitet bilateral edhe në këtë çështje.

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, kishte qartësuar Kurti, qysh në takimin e parë me Vuçiqin./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme