Google ADS

Kjo është gjendja shëndetësore e 52-vjeçarës së prekur me “ethet e minjve”

14:03 | 24 Gusht 2023
A Z

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se është diagnostikuar rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë.

Për Arbresh.info, drejtori i Klinikës Infektive,  Arben Vishaj tha se gjendja e 52-vjecares është shumë stabile, dhe që janë marr masat e duhura për trajtim të saj.

“Pacientja është me gjendje të përgjithshme stabile dhe kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura për trajtim”, ka thënë Vishaj.

Vishaj thotë se kjo është sëmundje ngjitëse e cila paraqitet në mënyrë sporadike në Kosovë, ku mund të paraqitet më shumë tek personat që frekuentojnë viset malore.

“Ethet hemorragjike me sindromin veshkor (ethet e miut) është sëmundje ngjitëse e cila paraqitet në mënyrë sporadike në Kosovë. Paraqitet te njerëzit të cilët frekuentojnë viset malore me lartësi mbidetare në masive bjeshkore”, thuhet tutje në përgjigjen e Vishajt.

Ai tutje, rekomandon që të kemi  kujdes të shtuar,  të pastrohen ushqimet nga mali si manaferra, dredhëzat, boronicat të mos konsumohen pa u pastruar, dhe të shtohet kujdesi i mbrojtjes së ushqimit nga mundësia e kontaminimit nga minjtë.

Sipas Vishajt, simptomat e para të pacientëve të infektuar janë: temperaturë të lartë, lodhje, dhembje të muskujve dhe skuqje në sy, zvogëlim i sasisë së urinimit dhe ndërprerje e plotë e  urinimit si dhe pasoj e dëmtimit të veshkave.

Në disa raste mund të kenë edhe gjakderdhje në lëkur të hematomave dhe rrjedhje gjaku nga hunda ose edhe nga goja që mund të përfundojnë me fatalitet.

Ndryshe, sipas Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë burim kryesor i këtij infeksioni janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse. Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

Sipas IKSHPK-së trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. /EdonaKrasniqi//Arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

Të ngjashme