Google ADS

Hovenier: Presim që Kosova të jetë anëtare e NATO-së

12:26 | 20 Mars 2024
A Z

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk ndihen të shqetësuar dhe as populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka thënë se aleanca më e fortë ushtarake është në Kosovë.

Diplomati amerikan ka thënë se është i vetëdijshëm se Kosova ka vendosur që dëshiron t’i bashkohet NATO-s.

“SHBA mbështet popullin e Kosovës dhe FSK-në, si forcë multietnike për mbrojtje territoriale. Kosova përballet me një sfidë me disa anëtarë të NATO-së. Dëshirojmë të shohim të ardhmen e Kosovës në NATO. Presim që Kosova të jetë anëtare e NATO-s. Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj. Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë. Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori Hovenier është takuar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka folur për zhvillimet e fundit në dialog.

Ambasadori Hovenier ka thënë se në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.

Hovenier ka theksuar se e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por përsëriti se janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rregullorja e re në komunitetin serb.

“Jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaçërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, ka deklaruar ai.

Hovenier ka theksuar se ka mundësi për t’u gjendur një zgjidhje.

“Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, ka deklaruar ai.

Hovenier ka thënë se zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nuk i ka dhënë ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dinarit, por siç ka deklaruar ai “Qeveria është duke punuar në këtë drejtim”./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme