Google ADS

300 vaksinat kundër kancerit në qafën e mitrës që u premtuan, por u harruan nga shteti

09:57 | 13 Nëntor 2022
A Z

Sëmundja e kanceri po vazhdon të marr shumë jetë në gjithë botën.

Një ndër sëmundjet e përhapura në vendin tonë është edhe kanceri i qafës së mitrës.

Gjatë këtij viti në Kosovë janë evidentuar 60 raste të kësaj lloj  sëmundje, shkruan arbresh.info.

  1. M nga Prishtina e prekur me kancer në qafë të mitrës rrëfen se edhe dy motrat e saj ishin prekur nga kjo sëmundje e rëndë.

Ajo tregon se dy motrat e saj kanë vdekur nga kanceri i qafës së mitrës.

A.M nuk e ka hallin tek vetja, mirëpo ajo ka frikë se këtë  sëmundje  mund ta trashëgojnë edhe bijat e saj.

“Dy motrat më kanë vdekur nga kjo sëmundje, tash kam frikë për vajzat e mija. Një vaksinë u përmend ma herët e nuk e di çka u ba, a ja kanë nis me i dhanë a jo” , shprehet ajo e shqetësuar.

Vaksinimi për mbrojtje nga kanceri në mitër do të ulte rastet nga kjo sëmundje.

Mirëpo, në Kosovë ende nuk ka vaksina kundër kancerit të mitrës, ani pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar se do të ndodhte në vjeshtë  të këtij viti

Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur se Kosova ka porositur 300 vaksina kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron vajzat dhe gratë nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, dhe se vaksinimi do të niste këtë vit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti i kishte thënë arbresh.info se vaksinimi për mbrojtje nga kanceri në mitër, në Kosovë pritet të fillojë në vjeshtë. Por deri më tani asgjë.

Arbresh.info ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë duke pyetur zyrtarët e saj nëse kanë ardhur vaksinat dhe a do të fillojë vaksinimi. Por, nga kjo Ministri janë përgjigjur shkurt “ Në momentin që do të kemi përgjigje do t’i adresojmë tek  ju”.

Bislimi: Vaksina do të ishte shpresëdhënëse

Drejtori i Onkologjisë në Prishtinë Arben Bislimi thotë kjo vaksinë do të mund të parandalojë këtë sëmundje.

“Vaksina për HPV si shkaktari më i shpeshtë i kancerit të qafës së mitrës, nëse futet në kalendar të rregullt të vaksinimit, do të kishte impakt të lartë në prevencën e kësaj sëmundje. Meqenëse kanceri i qafës së mitrës është në kanceret e rralla që dihet shkaktari,  e këta janë infeksionet me Human Papilloma Virus HPV”, thotë Bislimi.

Sipas tij, mesatarja e grave të prekura nga kanceri në qafë të mitrës është mosha mbi 45 vjeç, ndërsa faktori trashëgues është pak rëndësi.

“Numri i rasteve të reja me këtë patologji në vendin tonë mesatarisht është rreth 60 brenda vitit dhe mosha mesatare është 45 vjeç. Deri sa shkaktari është kryesisht infeksionet me HPV dmth bartet me kontakt seksual apo sëmundje veneriane, faktori hereditar është pak relevant”, shprehet Bislimi.

Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë.

Ndryshe OBSH-ja rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç, pasi kjo është masa me kosto-efektive e shëndetit publik kundër kancerit të qafës së mitrës. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Shqipëria e ka nisur aplikimin e kësaj vaksine për herë të parë në fillim të këtij nëntori, ndërsa mjekët atje thonë se ka pasur një interes të madh nga prindërit që duan të vaksinojnë vajzat e tyre./arbresh.info/Vjollca Gajraku/

 

 

 

Të ngjashme