Google ADS

24 hektarët e Manastirit të Deçanit janë regjistruar në Kadastrën e Kosovës

12:16 | 20 Mars 2024
A Z

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.

“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.

Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.

Toka, që u regjistrua në pronësi të Manastirit, gjendet rreth këtij manastiri, në kadastër kishte qenë e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.

Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e kishin zbatuar, duke argumentuar se kjo sipërfaqe ishte marrë me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Nga Manastiri i Deçanit kishin thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në vitin 1997, manastirit iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i ishin marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit./rel

Të ngjashme