Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, thotë se lëvizja e çmimeve të barnave në kohë të pandemisë nuk erdhi nga komuniteti farmaceutik.
Ai madje thotë se përkundër kësaj këta të fundit janë përkrahës të unifikimit të çmimit të barnave nga shteti dhe eliminimin e çfarëdo keqpërdorimi që po bëhet gjatë këtyre periudhave.
Në ditën botërore të farmacistëve, Jakupi ka thënë se po e shënojnë si një lloj proteste për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Kjo dukuri veçanërisht ishte shprehur gjatë fillimit të pandemisë Covid-19, ku shpeshherë padrejtësisht komuniteti farmaceutik kanë qenë objekt i sulmeve të shumta në lidhje me lëvizjen e çmimeve të barnave gjatë kësaj periudhe edhe pse kjo lëvizje nuk erdhi nga farmacistët. Përkundrazi farmacistët në masën prej mbi 99% janë përkrahës të unifikimit të çmimit të barnave nga shteti dhe eliminimin e çfarëdo keqpërdorimi që po bëhet gjatë këtyre periudhave nga persona të cilët vetëm me farmaci nuk kanë të bëjnë”, ka thënë ai.
Krahas kësaj ai ka theksuar se këtë ditë po e shënojnë si një lloj proteste me kërkesa të cilat janë për rregullimin e profesionit të farmacistëve.
“Këtë ditë Oda e Farmacistëve në Kosovë më shumë po e shënojnë si një protestë, me kërkesa të cilat janë për rregullimin e profesionit që fillon nga nivelizimi i çmimeve të barnave, zbatimi e recetës për barna, rregullimin e numrit të barnatoreve sipas kritereve gjeografike, demografike dhe zbatimin e plotë të praktikave të mira të farmacisë, kufizimin e pronësisë së barnatoreve në farmacistë, funksionalizimin e farmacisë spitalore, rregullimin e procesit të specializimit për farmacistët e shumë kërkesa të tjera që do të sillnin ngritjen e profesionalizmit dhe ofrimin e shërbimeve cilësore në sektorin farmaceutik qoftë në komunitet apo edhe në spital”, ka thënë ai.