Google ADS

Vulin: Tash nuk guxohet as të flitet për Kosovën

10:49 | 2 Gusht 2018
Arbresh.info

Zyrtarë serbë, edhe pse kanë pasur paranjoftime se Britania e Madhe nuk do ta vërë në rend dite debatin për situatën në Kosovë, e kanë pritur me shumë nervozë këtë hap të saj e i cili paralajmërohet të ndiqet edhe nga vende të tjera anëtare të KS-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më të zëshmit ndaj këtij vendimi të Londrës, kanë qenë ministrat serbë “kujdestarë” për Kosovën, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq, transmeton Koha.net.

“Tash nuk guxohet as të flitet çfarë po ndodh në Kosovë”, ka thënë Vulin pas lajmit se Londra nuk ka lejuar raportim për Kosovën.

Sipas ministrit serb të Mbrojtjes, Britania e Madhe e ka keqpërdorur kryesimin e Këshillit të Sigurimit dhe e ka larguar nga rendi i ditës raportimi e rregullt për situatën në Kosovë.

Vulin ka shtuar se Londra ka bërë përpjekje të mëdha të miratohet rezoluta e cila serbët i bën popull gjenocidal, por nuk ia ka dalë pasi Rusia ka vënë veto.

“Kjo është vazhdimësi e politikës sipas së cilës Serbia është fajtor për çdo të keqe. Tash nuk guxohet as të flitet çfarë ndodh në Kosovë. Madje edhe ajo e vërtetë e vogël po iu pengon dhe atë të vërtetë duhet ndaluar”, citon tv pink të ketë thënë Vulin.

Duke komentuar zhvillimet e djeshme në KS të OKB-së, shefi i diplomacisë serbe ka kërcënuar se “askush nuk guxon ta heqë nga rendi i ditës prej OKB-së Kosovën”.

“Ky është precedent”, ka akuzuar Daçiq duke vazhduar t’i varë shpresat te Rusia e Kina, të cilat, thotë ai, mund ta ndryshojnë këtë qasje të re të Perëndimit ndaj Kosovës.

Për shefin e diplomacisë serbe, ky veprim britanik nuk është i qartë,aq më shumë, pasi, siç tha, Londra po dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë.

Britania e Madhe dje e ka marrë kryesimin e Këshilli të Sigurimit dhe për herë parë ajo s’e ka futur si temë raportin e sekretarit përgjithshëm të OKB-s Antonio Guterres për situatën në Kosovë.

Medie serbe dje madje patën publikuar edhe pjesë “të zeza” nga ky raport me qëllim që të jepet pasqyrë sa më e keqe e gjendjes në vendin tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme