Udhërarresti ndaj Kurtit, Kadaj-Bujupit dhe Haxhiut nuk i është dërguar ende Policisë

09:21 | 23 Nëntor 2017
Arbresh.info

Deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu pritet që sot të arrestohen nga Policia e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për portalin arbresh.info kryetari i trupit gjykues të Gjykatës Themelore, Beqir Kalludra, ku ka thënë se shumë shpejt urdhri i lëshuar gjatë seancës së djeshme do t’i dorëzohet Policisë

“Ende nuk është dërguar urdhri për arrestim tek Policia nga Gjykata. Pritet që shumë shpejt të përgatitet dhe dërgohet. Kjo mund të ndodh brenda një ore”, ka thënë ai.

Edhe në Policinë e Kosovës thonë për arbresh.info se nuk e kanë marrë ende urdhërarrestin e gjyqtarit Kalludra të vendosur një ditë më parë.

Arbresh.info ka kontaktuar deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiun për të ditur nëse do të jenë pjesë e seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, por të njejtat nuk ju kanë përgjijgur interesimit të redaksisë.

Edhe zyrtarë tjerë për informim të Lëvizjes Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur interesimit të arbresh.info nëse do të marrin pjesë në seancë deputetët e akuzuar për të cilët tashmë ekziston fletarresti, përfshirë deputetin Albin Kurti.

Albulena Haxhiu, Donika Kadaj, Faton Topalli dhe Albin Kurti akuzohen për veprën penale përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar, konkretisht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Me përjashtim të Topallit, ata nuk kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore, dhe për Haxhiun e Kurtin në dy seanca të vendosura Gjykata kishte dhënë urdhërin që të sillen me detyrim  nga Policia e Kosovës.

Kjo e fundit as në seancën e djeshme dhe atë paraprake nuk kishte arritur t’i gjente në shtëpi Kurtin e Haxhiun./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme