Google ADS

U.D. Kryeprokurori i Shtetit takoi Kryeprokurorin e Përgjithshëm të Karolinës së Jugut në SHBA

19:50 | 18 Prill 2024
E.H

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, bashkë me drejtues të Sistemit Prokurorial, Gjyqësor dhe Akademisë së Drejtësisë, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me Kryeprokurorin e Përgjithshëm të Karolinës së Jugut në SHBA, Alan Wilson.

“Bartësit e funksioneve të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor patën mundësinë të shohin nga afër perspektivën dhe përvojat që kanë të bëjnë me hartimin e opinioneve nga Kryeprokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Jugut, rolin e Divizionit Ekzekutiv të Kryeprokurorit të Përgjithshëm në raport me çështjet e bashkëpunimit me qeverinë, raportin me publikun, përkatësisht kërkesat për informacion nga media dhe publiku dhe çështje tjera të rëndësishme profesionale”, thuhet në njoftim përcjell Arbresh.info.

Përveç takimit me Kryeprokurorin e Përgjithshëm të Karolinës së Jugut, delegacioni nga institucionet e drejtësisë është takuar edhe me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Karolinës së Jugut Donald W. Beatty.

Po ashtu, në kuadër të vizitës studimore dhe agjendës një javore, përfaqësuesit e sistemit prokurorial, atij gjyqësor dhe Akademisë së Drejtësisë kanë zhvilluar vizita në institucionet tjera të rëndësishme të drejtësisë dhe atyre universitare të SHBA-së.

“Pjesë e delegacionit të përfaqësueseve të institucioneve të drejtësisë në vizitën studimore në SHBA, përveç U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, janë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, Zëvendës-Kryesuesja e KPK-së, znj. Jehona Grantolli, Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Performacës në KPK, z. Veton Shabani dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu”, thuhet tutje në njoftim.

Kjo vizitë e delegacionit nga Kosova është organizuar me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Zyrës së OPDAT-it./Arbresh.info

Të ngjashme