Trajnimet e mësimdhënësve të cilat janë bërë në kuadër të reformave në arsim, do të ndalen. Kështu pati deklaruar ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, duke shtuar se trajnimet e deritanishme kanë qenë të përgjithësuara dhe të pakontrolluara. Por, ekspertët thonë se ato trajnime janë kontrolluar nga Ministria përmes Këshillit për Licencim.
Ditë më parë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, pati deklaruar se trajnimet e mësimdhënësve në mënyrë të përgjithshme do të përfundojnë, pasi, sipas tij, kanë qenë të pa monitoruara. Ai ka thënë se asnjëherë nuk është bërë ndonjë analizë se sa kanë nevojë mësimdhënësit të trajnohen, në cilat fusha dhe se çfarë kanë përfituar ata nga trajnimet e caktuara. Bytyqi ka bërë të ditur se trajnimet do të bëhen në bashkëpunim me inspektoratin e arsimit, i cili do të identifikojë nevojat e mësimdhënësve për trajnim.
“Ne do të jemi shumë konkretë, kjo është nevojë për mësimdhënësit për këtë do ta bëjmë trajnimin, do të jetë një trajnim shumë i kontrolluar. Kemi kaluar nga trajnimet që ka bërë kush ka pasur dëshirë, natyrisht që është marrë një licencë, por nuk ka pasur një koherencë se çfarë lloj trajnimesh janë duke u bërë. Edhe sot bëhen trajnime dhe nuk dihet, nuk ka një grumbullim të informatave se çfarë lloj trajnimi janë duke u bërë. Ne këtë do ta bëjmë në mënyrë të kontrolluar, do t’i kalojmë në Fakultetin e Edukimit, sepse e ka një rol shumë të rëndësishëm.”
Por, ekspertët thonë se trajnimet e mësimdhënësve janë kontrolluar nga Ministria e Arsimit, përmes Këshillit për Licencim dhe Certifikim të Mësimdhënësve. Rinor Qehaja, nga Instituti Edguar, tha për Radio Kosovën se ky këshill ka dhënë akreditim për çfarëdo programi të trajnimeve, por problemi ka qenë se ato nuk janë monitoruar gjatë zbatimit të tyre.
“Ajo çfarë ka ndodhur është se gjithmonë licencimi që ka kaluar në këtë këshill, ka qenë i mirë zhvilluar dhe i mirë koordinuar. Mirëpo, mangësia që ngelet dhe që ka qenë prezent është jo monitorimi i ecurisë së këtyre trajnimeve, pra, cilat janë rezultatet e tyre. Çfarëdo certifikimi që është lëshuar nga MASHT përmes një procedure dhe ndërlidhjen e programeve të trajnimeve me Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës.”
Deputetja e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë për Radio Kosovën se kualifikimet dhe trajnimet e mësimdhënësve të pa monitoruara kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Është një angazhim i mësimdhënësve i vazhdueshëm, por përderisa nuk monitorohet, nuk mund të themi që kemi parë se kush është ai që jep kontributin ose thjesht kush është mësimdhënës i mirë dhe kush nuk është i mirë. Me Ligjin për Inspektoratin duhet të ketë monitorim të punës së mësimdhënësit nga profesionistët.”
Sektori i trajnimeve në Ministrinë e Arsimit ka organizuar trajnime për mësimdhënës sipas programeve të Ministrisë dhe bashkëpunon me OJQ-të vendore e ndërkombëtare në zhvillimin dhe aftësimin e mësimdhënësve me metodologji të reja bashkëkohore, si pjesë e reformimit për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Në dhjetor të vitit 2007 është formuar Këshilli për Licencimin e Mësimdhënësve.
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...