Alain Giresse është përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës në futboll.
Prezantimi i tij është bërë të mërkurën nga presidenti Agim Ademi në një konferencë për media.
“Kam nderin që sot ta prezantoj trajnerin e ri, të mirënjohurin Alain Giresse. Besoj që emri i tij mjafton për të treguar se kush është. Jam shumë i lumtur që gjendet në mesin tonë dhe ka pranuar të jetë kë krye të Kombëtares së Kosovës. Me të do t’i futemi sfidës për të pasur sa më shumë rezultate të mira. I kemi garantuar dhe i kemi dhënë përkrahjen e plotë për të vazhduar punën dhe për të pasur rezultate të pritura. Besoj se me të do ta arrijmë synimin që e kemi pasur deri më tani. Unë i uroj trajnerit Giress mirëseardhje te Kosova dhe suksese të mëdha”, ka thënë Ademi, i cili më pas e ka ftuar trajnerin francez për ta firmosuar edhe kontratën që e lidh me FFK-në.
Giresse ka deklaruar se ndihet i nderuar që do të jetë në krye të Kombëtares së Kosovës dhe se nuk ka hezituar fare ta pranojë ofertën e FFK-së.
“Sot, po zyrtarizohet detyra ime si përzgjedhës i Kosovës dhe jam i lumtur e shumë i nderuar. Unë jetoj në Toulouse dhe atje kam miq kosovar, ku e njoh edhe kryetarin. Para disa viteve isha mysafir në Kosovë, ky kryetari aktual nuk ishte në atë post por i ndjeri Fadil Vokrri, për të cilin dua ta bëj një homazh nga këtu për shkak se kam pasur lidhje shumë të forta me të. Në Francë, kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, kam mbetur shumë i prekur. Për të vazhduar lidhjen time me Kosovën, kur isha në krye të Senegalit kemi luajtur një miqësore me Kosovën në Gjenevë. Në atë kohë, Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe në Senegal më kanë pyetur se kundër kujt do të luajmë dhe iu kam treguar se bëhet për një vend që e njoh shumë mirë. Kjo është lidhja ime dhe për këtë arsye me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë jam pajtuar me kërkesat e kryetarit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me ekipe kombëtare dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij”, tha Giresse, p ërcjell arbresh.info.
Giresse ka thënë se e njeh ekipin kombëtar të Kosovës dhe se pret me padurim ta fillojë punën në fushën e gjelbër. “Kosova luan si ekip bashkë, ne duhet të ndërtojmë një ekip me potencialin ekzistues të lojtarëve. Puna është bërë paraprakisht dhe unë jam këtu vetëm për të vazhduar punën, të përparojmë dhe të bëjmë më të mirën. Lojtarët janë shumë teknikë, kanë dëshirë ta mbajnë topin, gjë që më pëlqen shumë. Mua më pëlqen stili i lojës të lojtarëve të Kosovës. Sa i përket ekipit, është me rëndësi ta gjejmë balancin e duhur por edhe mentalitetin, që është i nevojshëm për të treguar lojë të mirë”, ka thënë Giresse.
Ai gjatë karrierës së tij ka drejtuar ekipe të mëdha në nivel kombëtar si Gjeorgjia, Gaboni, Mali, Senegali dhe së fundi Tunisia.
Giresse po ashtu kishte drejtuar edhe dy ndër ekipet më të njohura franceze si PSG dhe Toulouse.
Ai e nis punën me Dardanët në miqësoret e muajit mars, kundër Burkina Fasos, më 24 mars dhe Zvicrës, më 29 mars.
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe