Google ADS

Sveçla: Goran Rakiq me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbajnë barrikadat në veri

19:10 | 20 Dhjetor 2022
E.H

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Goran Rakiq po i mirëmban marrikadat në veri bashkë me bandat kriminale.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se e vetmja gjuhë që ata përdorin dhe i trumbetojnë janë vrasjet.

“Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës tash e 11 ditë. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, ka shkruar Sveçla.

Ai tha se janë duke bërë përpjekje maksimale me partnerët ndërkombëtarë për heqjen e barrikadave pa asnjë përkeqësim të mundshëm, ndërkaq, sipas tij, Rakiq e bashkëpunëtorët e tij po i armatosin bandat brenda barrikadave.

“Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena. Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë”, ka shtuar ai.

Sveçla theksoi se assesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve, që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme