Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me urgjencë duhet ta shqyrtojë statusin e Listës Serbë, që tashmë dihet botërisht se është implikuar me elemente të terrorizmit.
Kështu pohon profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Ai për Arbresh.info, thotë se implikimi i nënkryetarit të Listës Serbe në ngjarjet e fundit terroriste në veri të vendit, shtron urgjencën që KQZ ta shqyrtojë statusin e kësaj.
“Lista Serbe që nga themelimi i saj ka pasur raport destruktiv në raport me institucionet e Kosovës dhe shtetin e Kosovës, ka pasur synime herë më shumë, e herë më pak, por konstantja ka qenë destruktive. Ndërsa implikimi i tashëm i nënkryetarit serb në ngjarjet e fundit terroriste në veri të vendit, padyshim që shtron urgjencën që KQZ ta shqyrtoj statusin e kësaj partie që tashmë dihet botërisht se është implikuar me elemente të terrorizmit, prandaj mbetet detyrë e KQZ-së ta shqyrtoj këtë çështje sa më parë të jetë e mundur”, shprehet Krasniqi.
Krasniqi ka komentuar e deklaratën e kryetari i Këshillit Atlantik të Austrisë, Gunther Fehlinger, i cili përmes një postimi në Twitter, pati deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Kosova duhet ta shpallin Listën Serbe organizatë terroriste.
Sipas tij, kjo është një deklaratë që duhet të përdoret nga institucionet e Kosovës, në krijimin e një opinioni në favor të ndalimit të kësaj partie dhe kjo duhet të bëhet me kujdes në mënyrë që të mos provokohen ndjenjat e qytetarëve serb të Kosovës.
“Kjo është një deklaratë që duhet të përdoret nga institucionet tona në krijimin e një opinioni në favor të ndalimit të kësaj partie dhe kjo duhet të bëhet me kujdes në mënyrë që të mos provokohen ndjenjat e qytetarëve serb të Kosovës, meqë ata nuk iu bashkuan në reagim dhe solidarizim masiv sulmit terrorist. Duhet të shihet mundësia si të modelohet ky disponim i tyre edhe që në këtë proces të gjendet mundësia që ata të shkëputen nga Lista Serbe, por jo me një proces të dhunshëm i cili do ti shtynte të reagojnë”, thekson Krasniqi
Në anën tjetër, analisti dhe gazetari, Bekim Kabashi, thotë se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe faktet e publikuara nga Policia e Kosovës, dëshmojnë se të paktën një nga liderët kryesor të kësaj partie politike serbe kanë qenë organizatorët e atij sulmi terrorist nga i cili mbeti i vrarë një polic e u plagos një tjetër.
Sipas tij, nëse hetimet rezultojnë se përveç nënkryetarit, rol në atë sulm terrorist kishte edhe partia si strukture, atëherë kjo parti duhet të shpallet antikushtetuese dhe përveç kësaj edhe persona tjetre do të duhej të hetoheshin e edhe të ndiqeshin penalisht për rolin e tyre në atë sulm terrorist.
Kabashi, është shprehur se për të ardhur deri te ky vendim duhet të ndiqen të gjitha proceduarat ligjore dhe kjo sipas tij, duhet të ndodhë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Për të ardhur deri te ai vendim do të duhej të ndiqeshin të gjitha procedurat ligjore që e përcaktojnë atë. Kjo, gjithashtu do të duhej të ndodhte edhe në koordinim me partnerët ndërkombëtar”, pohon Kabashi për Arbresh.info.
Ndryshe, kryetari i Këshillit Atlantik të Austrisë, Gunther Fehlinger, përmes një postimi në Twitter, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Kosova duhet ta shpallin Listën Serbe organizatë terroriste.
Ky reagim ka ardhur pas videos që u publikua nga ministria e Brendshme e Kosovës, Xhelal Sveçla, ku në mesin e terroristëve serbë ishte edhe nënkryetari i partisë Lista Serbe, Milan Radoiçiq.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra, një tjetër u plagos dhe dy të tjetër u lënduan, pas një sulmi terroristë nga një grup serbësh të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit,
Sulmi ndaj policisë së Kosovës kishte ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës së 24 shtatorit, mirëpo luftimi me këtë grup kriminal kishte zgjatur gjatë gjithë ditës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona, pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, duke lënë të vdekur tre terroristë, dhe duke arrestuar tetë të dyshuar për përfshirje në këtë sulm.
Katër nga të arrestuarit me vendim të Prokurorisë Speciale janë liruar në mungesë të provave, ndërsa ndaj tre të dyshuarave të tjerë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 sitësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë, një ditë pas sulmit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, ku shihet edhe krimineli Milan Radoiçiq.
Sveçla përmes një postimi në Facebook pati shkruar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Radoiçiq pranon se ishte organizator i sulmit terroristë më 24 shtator
Të premten Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, thuhet ndër të tjera në letrën e tij.
Ndërsa po të premten më 29 shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Radoiçiq ka, ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...