17 shkurt 2008, kjo datë historike për gjithë Kosovën. Datë në të cilën u shënjua historikisht liria dhe pavarësia e shtetit të Kosovës. Emocionet e asaj dite mund t’i përshkruaj çdo shqiptar, duke kujtuar atë ditë si ditën më të rëndësishme, shkruan Arbresh.info.
E më së miri këtë ditë e kujtojnë vetë kontribuuesit e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ata i dhanë kuptimin e plotë kësaj dite ku me mundin e tyre dhanë çdo gjë nga vetja që kjo ditë të mbetet si dita më madhështore në kujtesën e shqiptarëve. E njëri ndër këta kontribuues është edhe Profesori, Shyqri Nimani thënë më mirë kaligrafisti i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për portalin Arbresh.info, Nimani ka treguar ndjenjat që kishte një ditë para pavarësisë, orët stresuese në të cilat kishte kaluar deri sa kishte bërë kaligrafimin e deklaratës së Pavarësisë.
I kishte vetëm 16 orë, që të përfundonte tri faqe të pergamenës me Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa në mendje shpesh i shkonte se a do të mund ta përfundonte këtë deklaratë.
“Ishte një ngjarje shumë e madhe, dhe unë e ndjeja një përgjegjësi. Kur më ftuan të shkoj në hapësirat e Qeverisë së Kosovës ku ishte në atë kohë kryeministër Hashim Thaçi mendova që do të ma jepin një faqe A4 ashtu siç pata folur më herët që më nevojitet që ta bëjë kaligrafimin e deklaratës në pergamenë, ashtu siç duhet një javë ditë më herët. Por kur ma dhënë në orën 9 në mbrëmje ishte 16 shkurti 2008, kur i pash ato tri faqe aq të mëdha unë shumë u shqetësova sepse i kisha vetëm 16 orë deri nesër në orën 15:00 kur duhej dorëzuar të kaligrafuar deklaratën”, ka thënë ai.
E orët që i kishte shpenzuar bashkë me stresin dhe emocionet, nuk iu shpërblyen asnjëherë profesorit Nimani, pasi që është kontribuesi i vetëm i shpalljes së Pavarësisë i cili nuk është paguar për kaligrafimin e deklaratës së Pavarësisë.
“Atëkohë shefi i protokollit më tha profesor sonte është vonë por javën tjetër do ta bëjmë kontratën për honorarin tim dhe më tha a pajtohem që pos meje të jet autore edhe Qeveria e Kosovës, unë i thash nuk më intereson ajo për arsye se unë isha i preokupuar shumë si do ta kryej këtë detyrë. Dhe edhe sot e kësaj dite nëse nuk gabohem unë jam i vetmi që nuk jam paguar sepse të gjithë të tjerët janë paguar. Unë nuk jam drejtuar tek institucionet asnjëherë për këtë sepse kam thënë që nëse e marr atë honorar që është diku 30 mijë euro do ta kisha dhënë për të pastrehët, që të ndërtohen dy shtëpi për ta”, ka thënë ai.
Përveç që nuk ka marr honorarin e tij për kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, profesor Nimanit nuk i është dhënë madje as ndonjë mirënjohje, as tani kur Presidenti Hashim Thaçi ndau disa mirënjohje për kontribuuesit e shpalljes së Pavarësisë.
“Unë nuk merrem me këto gjëra. Unë i njoh këta njerëz më njohin por, çdo mirënjohje dhe shpërblim është i mirë nëse t’i nuk din për atë, nëse e meriton. E në kohë të fundit edhe kjo punë është katandisur për arsye se njerëzit kanë kllapa , kanë njohuri dhe më vjen keq që edhe studentët që kam unë nuk marrin pjesë në konkurse se thonë po bëhet me hatër”, është shprehur ai.
Profesor Nimani në këtë intervistë ka folur edhe për zotimet të cilat i ka kaligrafuar në këtë deklaratë, zotime këto që sipas tij nuk janë përmbushur nga klasa politike.
“Ka të arritura që me ndihmën e të huajve si Japonia, Britania kanë dhënë edhe diaspora. Siguria ende nuk është si duhet, kemi shumë mungesa sa i përket punësimit. Gjeneratat e reja i kryejnë studimet dhe nuk mund të punësohen. Ata mendojnë që të dalin jashtë shtetit dhe kjo nuk guxon të përsëritet si në ’99”, është shprehur ai.
Nuk është vetëm deklarata e Pavarësisë dokument të cilin e ka kaligrafuar profesor Nimani, pasi që ai ka kaligrafuar edhe dokumente tjera të rëndësishme.
“Unë kam kaligrafuar në pergamenë përpara për Universitetin e Prishtinës. Në atë kohë vinin president të huaj shembull Presidenti i Indisë dhe në atë rast mu më është dashur ta shkruaj në pergamenë në Gjuhën Shqipe, në Anglisht dhe në Serbokroatisht. Ajo që ka qenë më e rëndë është se një gabim në ndonjërën gjuhë të shkon e gjithë pergamena. Pas luftës kur UP-ja u dhuroi çertifikatat ‘Doktor Honoris Kausa’ Bill Klintonit, Tony Blair, Kadaresë e disa tjerëve UP nuk e bleu pergamenen pasi që kishin dëshirë të shkruhet në kompjuter me ngjyra. Mirëpo nuk e ka atë rëndësinë si në pergamenë pasiq një pergamenë mund të jetoj gjatë”, ka treguar ai.
Përveç këtyre gjërave kaligrafisti Nimani ka folur edhe për historinë e shqiptarëve ku sipas tij ka ardhur koha të rishkruhet kjo histori pasi që shqiptarët e kanë një histori tejet të bujshme dhe se siç tha ai nuk është e paraqitur e tëra në libra. Po ashtu ai tha se në këto 10 vite Kosova ka pasur zhvillime dhe ngecje dhe se e rëndësishme është që gjëja kryesore liria dhe pavarësia janë fituar e për të tjerat profesor Nimani uron që Kosova t’i ketë sa më parë./Valdete Berisha/Arbresh.info/
Për të kuptuar më shumë detaje ndiqeni intervistën e plotë:
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...