Shpërthimi në Kçiq ndodhi nga bombola katër litërshe

14:18 | 14 Janar 2024
E.H

Një rast i rëndë ka ndodhur të shtunën në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku 14 anëtarë të një familjeje janë prekur nga shpërthimi i një bombole gazi 4-litërshe në shtëpinë e tyre.

Ngjarja ka lënë pas një numër të konsiderueshëm të lënduarish dhe ka shkaktuar dëme materiale.

Shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e Burhan Brahimit, duke shkaktuar dëme të mëdha në strukturën e shtëpisë dhe rreth saj.

Sipas një familjari të afërm, tre anëtarë të familjes kanë marrë lëndime të rënda, ndërkaq të tjerët lëndime më të lehta. E në fakt, katër nga 14 të lënduarit e këtij shpërthimi që nga dita e djeshme ndodhen në kujdesin intensiv në QKUK, derisa të tjerët janë transferuar në klinika të ndryshme në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Qytetarët e lënduar gjatë mbrëmjes së kaluar i kanë vizituar kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.

Ata kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj familjeve të prekura nga ky shpërthim, derisa pacientëve u kanë uruar shërim të shpejtë.

Po ashtu, kanë falënderuar stafin mjekësor për reagimin e shpejtë dhe shpëtimin e jetëve, teksa kanë kërkuar më shumë siguri në përdorimin e bombolave të gazit si dhe masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme