PSD e vendosur, s’jep votë pa përmbushjen e kushteve

08:15 | 30 Janar 2019
Arbresh.info

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019. Në këtë komision u votuan disa kërkesa e rekomandime dhe u tha  se buxheti do të jetë më i pasuruar me kërkesat që janë miratuar.

Pas këtij komisioni, Projektligji për Buxhetin do të shkoj në kryesi e më pas në seancë, ku kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se pritet që të jetë të enjten në votim.

Mirëpo duket që pozita ende nuk i ka bërë numrat për ta kaluar buxhetin.

Lidhja Demokratike e Kosovës qëndron ende prapa deklaratave të saj në lidhje me buxhetin. Këtë e ka konfirmuar për portalin arbresh.info zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa.

Qëndrojmë prapa deklaratave tona. LDK nuk e voton buxhetin”, ka thënë ai.

Por, duket se pushteti ende ka shpresë tek Partia Social Demokrate, që ta votoj buxhetin.

Në anën tjetër Dardan Molliqaj nga kjo parti ka thënë se kërkojnë plotësimin e kushteve për ta votuar buxhetin.

Nëse plotësohen kushtet tona e votojmë, nëse jo nuk e votojmë. Nuk e dimë tash”, ka thënë ai për arbresh.info.

Kushtet e kësaj partie për ta votuar buxhetin janë:

Ligji për Paga të miratohet në lexim të dytë, së bashku me leximin e dytë të projekt-buxhetit, pra në të njëjtën seancë!
Ligji për Dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra me datën 24/12/2018.
Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim, jo më larg se 3 muaj nga sot! Ky ligj duhet ta saktësojë në mënyrë pa-ekuivoke, përveç tjerash çështjen e numrit të zv-ministrave për një ministri. Kërkesa konkrete jonë është që nuk mund të ketë më shumë se 2 zv. ministra për Ministri.
I nderuari Kryeministër, kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë! Ta keni parasysh që importi kryesor janë gjërat ushqimore, industria e përpunimit të ushqimit, si dhe që fermat e Kosovës kanë nevojë për strategji dhe udhëheqje që ndërton kapacitete për zv. te importeve, e pra edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e vende të reja të punës! Rrjedhimisht, kërkojmë lirimin nga detyra e Ministrit të Bujqësisë i cili nuk po e ushtron këtë detyrë, si dhe emërimin e një ministri që e funksionalizon Ministrinë e Bujqësisë,
I nderuari Kryeministër, projekt-buxheti i Republikës është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Janë plotë 465 milionë euro në te për skema të tilla! Si PSD, mbetemi të bindur se mund të reduktohet kjo ngarkesë buxhetore!
”, janë kushtet e PSD-së.

E për njërën nga këto kushte, saktësisht shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, kryeministri Haradinaj ka thënë që do të ndodh shpejt, pa dhënë ndonjë datë se kur.

Kujtojmë se edhe Lista Serbe ka dhënë qëndrimin e saj kundër votimit të projektligjit për buxhetin./V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme