Prindon Sadriu: Respektoj punën e gazetarëve – kur s’i del krah familjes, s’i del krah as vendit

23:13 | 9 Shkurt 2022
L G

Pas ragimeve të shumta ndaj deklaratës së tij për gazetarër, ka ardhur edhe sqarimi i Prindon Sadriu, bashkëshortit të Presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se postimi i mbrëmshëm i tij është devijuar qëllimshëm, shkruan arbresh.info.

Sadriu thotë se ka respekt e mirënjohje për punën e medieve dhe të gazetarëve dhe se gjithmonë do t’i përkrahë pa rezervë.

“Jam siguruar gjithnjë të bëj dallimin e qartë në mes të individëve me agjenda të caktuara dhe medieve, të cilat vërtet i përgjigjen misionit të tyre të shenjtë. Ashtu ishte dhe mbrëmë, ku kam bërë dallimin e qartë. Përfundimisht, aq sa do të jem gjithnjë ithtar i mbrojtjes së lirisë së shprehjes, po aq shumë do të jem ithtar i promovimit dhe mbrojtjes së gazetarisë profesionale e të pavarur”, është shprehur ai.

“Asnjëherë nuk kam synuar e as nuk synoj ta cenoj gazetarinë profesioniste, si profesion i domosdoshëm për demokracinë, për të cilën kontribuojnë shumë gazetarë e media të përkushtuara. Mirëpo, kur rrezikohet jeta e familjes sime për shkak të demonizimit, dezinformatave e propagandës së njerëzve të caktuar, është detyrë po aq e shenjtë që të gjithë ta mbrojmë familjen, dinjitetin dhe të vërtetën”.

Sadriu, ndër të tjera, ka thënë se në rastet kur, siç është shprehur, sulmohen njerëzit e zemrës, atëherë duhet zhveshur nga çdo petk tjetër.

“Kur njerëzit e tu të zemrës përballen me sulme të vazhdueshme të bazuara në të pavërteta, janë qëllimkëqija dhe synojnë baltosjen e imazhit, ti zhvishesh nga çdo petk tjetër, sepse së pari dhe mbi të gjitha je një baba dhe një bashkëshort. E kur këta dy role të shenjta peshojnë e kanë vlerë për ty më shumë se çdo gjë, ti s’mund të heshtësh para padrejtësisë. Sepse, nëse nuk di t’i dalësh në krah familjes tënde, ti rrezikon të mos dish t’i dalësh në krah as vendit të punës e as shtetit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme