Google ADS

Predrag Vukoviqin s’ka aktakuzë nga Kosova, i dyshuari për vrasje në Lybeniq

17:30 | 25 Korrik 2018
Arbresh.info

Në arrati që nga viti 2014, Predrag Vukoviq, dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë në vitin 1999. Ai është arrestuar nga autoritetet malazeze, derisa ishte duke peshkuar paligjshëm. Vukoviq, akuzohet nga Beogradi për përfshirje në sulm në fshatin Lybeniq më 1 prill 1999. Edhe pse kreu krimet në Kosovë, shteti nuk e ka akuzuar për krime dhe as nuk e kërkon ekstradimin e tij.

Predrag Vukoviq, një veteran i ushtrisë jugosllave i akuzuar për përfshirje në masakrën ndaj 46 civilëve shqiptarë në Kosovë më 1 prill të vitit 1999, është arrestuar para 5 ditëve nga autoritetet malazeze.

Ai ishte në arrati që nga viti 2014, por u arrestua më 20 korrik në qytetin e Barit në Mal të Zi, derisa ishte duke peshkuar në vend të paligjshëm. Autoriteteve malazeze ai iu dha emër të rremë, por kontrollet e sigurisë e përcaktuan identitetin e tij të vërtetë.

Vukoviq akuzohet për përfshirje në një sulm në fshatin Lybeniq në Kosovën perëndimore më 1 prill 1999, pak ditë pas fillimit të fushatës 11 javore bombarduese nga NATO’ja për t’i dhënë fund një ofensive ushtarake nga forcat e drejtuara nga ish-presidenti Sllobodan Millosheviq.

Rasti i Lybeniqit është në proces para Gjykatës së Lartë të Beogradit dhe është një nga rastet më të mëdha dhe më të gjata të krimeve të luftës në lidhje me Kosovën që po procedohet nga autoritetet serbe.

Në vitin 2014 zyra e krimeve të luftës e Serbisë paditi tre veteranë të Ushtrisë Jugosllave – Vladan Krstoviq, Lazar Pavloviq dhe Milan Ivanoviq – për masakrën dhe nxori urdhër arrestime kundër Vukoviqit dhe Nenad Lekiqit.

Grupi u dënua fillimisht në vitin 2014 me një total prej 106 vitesh burg për vrasjen e të paktën 118 civilëve shqiptarë të Kosovës.

Gjykata e apelit e ktheu vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Roli i Kosovës në këtë rast nuk ekziston, pasi shteti nuk e ka akuzuar Vukoviqin për krimet e luftës që kanë ndodhur në Lybeniq më 1999, dhe tani as nuk kërkon ekstradimin e tij.

Në Ministrinë e Drejtësisë, në një përgjigje për Gazetën Express thonë se nuk është ngritur ndonjë aktakuzë ndaj tij, andaj ekstradimi nuk mund të behët pa ngritje të aktakuzës dhe kërkesës së prokurorit kompetent të shtetit.

“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk mund të kërkoj ekstradimin e ndonjë personi kundër të cilit nuk ka të lëshuar urdhër kërkim ndërkombëtar pa kërkesë të Prokurorisë ose Gjykatës, pasi që sipas ligjit në fuqi në Republikën e Kosovës deri në paraqitjen e aktakuzës, prokurori kompetent i shtetit mund të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë të kërkoj ekstradimin e ndonjë personi të kërkuar nga një shtet tjetër”, thuhet ne përgjigjen e ministrisë për Express.

Ata thonë se kërkesa për ekstradim mund të bëhet vetëm pas paraqitjes së aktakuzës “gjykata kompetente mund të kërkoj nga Ministria që të kërkoj ekstradimin nga një shtet tjetër”.

Nga ministria thonë se posa ta pranojnë një kërkesë të tillë, menjëherë do ta procedojnë tutje për tek autoritetet malazeze.

Human Rights Watch fillimisht dokumentoi krimet në vitin 1999 dhe identifikoi disa nga autorët e drejtpërdrejtë që u akuzuan në Serbi në vitin 2011. Pjesë e këtij dokumentimi ishin edhe krimet e Predrag Vukoviqit.

E Ministria e Drejtësisë së Serbisë, me të kuptuar se Vukoviq ra në duart e autoriteteve malazeze, për BIRN kanë paralajmëruar kërkesë për ekstradimin e tij.

Vukoviq kërkohet gjithashtu për vepra të tjera kriminale, përfshirë grabitje dhe posedim droge.

Dyzetegjashtë persona vdiqën gjatë sulmit në Lybeniq dhe u plagosën 11 të tjerë. Trupat e 34 prej viktimave nga Lybeniqi u gjetën më vonë në një varr masiv në Batajnicë, pranë kryeqytetit serb, Beograd. Katër viktima janë ende të listuar si të zhdukur.

Në total, 11 ish-anëtarë të njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave dyshohet se kanë kryer krime lufte në fshatrat e Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lybeniq në pranverën e vitit 1999./Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme