Google ADS

Policia ndërmerr një masë tjetër për gjetjen e dy policëve të zhdukur

15:44 | 2 Maj 2018
Arbresh.info

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në kuadër të angazhimeve dhe planifikimeve të vazhdueshme, në interes të kërkimit dhe gjetjes së dy policëve të zhdukur, sot rreth orës 16:00 Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe akterët relevantë, në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëjnë ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut.

Kjo do të bëhet me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.

“Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj. Përmes këtij njoftimi zyrtar dëshirojmë t’i lajmërojmë të gjithë banorët e këtyre fshatrave që të jenë të njoftuar mbi fillimin e qarkullimit të ujit në kanalet e ujitjes dhe njëherit të kenë kujdes të shtuar rreth qarkullimit të banorëve, në veçanti fëmijëve dhe mjeteve të transportit rrugor në afërsi të tyre. Njëkohësisht i falënderojmë të gjitha institucionet, njësitet, qytetarët dhe zyrtarët policorë që janë duke vazhduar me angazhimin e palodhshëm drejt kërkimit të dy zyrtarëve policorë, si dhe njëherit kërkojmë mirëkuptimin e banorëve të fshatrave të lartpërmendura”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme