Google ADS

OSBE: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

17:05 | 25 Tetor 2023
E.G

Raporti i OSBE-së e ka parë si përdorim të tepruar caktimin e masës së paraburgimit duke thënë se kjo është një çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.

Sipas tyre, duhet të bëhet përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë, shkruan Arbresh.info.

“Përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme. Duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë”, thuhet në raportin më të fundit publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.

Po ashtu Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit.

Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur.

“Vendimet për paraburgimin janë sfiduese. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të mbështesin sundimin e ligjit dhe të mbrojnë publikun. Ata duhet të marrin vendime të vështira – të vlerësojnë rrezikun dhe të baraspeshojnë të drejtat e të pandehurit me sigurinë publike, si dhe të sigurojnë që ata që kryejnë krime të mbajnë përgjegjësi”, tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, u zotua t’i adresojë gjetjet e raportit, duke punuar së bashku me Gjykatën Supreme dhe Akademinë e Drejtësisë, për të harmonizuar dhe përmirësuar praktikat gjyqësore në lidhje me paraburgimin, por edhe mbështetjen e trajnimeve të nevojshme për zyrtarët e drejtësisë.

Raporti përfundon me rekomandime specifike të shenjëstruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake.

“Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.”, thuhet në njoftim./Arbresh.info/

Raporti i plotë mund të qaset Këtu

Të ngjashme