Këtë vit në Kosovë ka pasur epidemi fruthi. Që nga muaji qershor prej që është paraqitur ky virus, ka prekur 1,005 persona ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë, Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës infektive, sipas të cilit të prekurit nga ky virus, janë kryesisht fëmijë, por që është përhapur edhe te të rriturit dhe ka prekur moshat deri në 50 vjeç.
“Dy raste që janë në trajtim në Klinikën infektive, janë mjaft të rënda. Gjatë këtyre muajve prej kur është paraqitur sëmundja, dy raste kanë përfunduar me fatalitet. Kapacitetet tona kanë qenë në nivel, si me ilaçe, po ashtu edhe me staf profesional, pavarësisht rasteve të shumta që ka prekur ky virus”, tha Ramadani.
Fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit.
Ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95 për qind të popullsisë.
Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit është rishfaqur në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.
OBSH-ja thotë se vaksinat kundër fruthit, duhet menjëherë të shtohen në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore.
Për shumë vite, në disa vende evropiane një grup njerëzish ka lobuar kundër vaksinimit me vaksinë të fruthit, duke dhënë se shkakton autizmin.
Por, epidemiologët në vend thonë se vaksinimi duhet të kryhet pasi është obligativ dhe nuk ka asnjë ndërlidhje me autizmin.
Isme Humolli, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, shpjegon për Radion Evropa e Lirë:
“Të gjitha hulumtimet që janë bërë deri më tash, e dëshmojnë se vaksina kundër fruthit fare nuk ka të bëjë me autizmin. Prindi i vëren shenjat e autizmit rreth moshës 9 muaj, 12 deri në 15 muaj. Në aspektin shkencor, nuk ka asnjë lidhshmëri në mes të vaksinimit dhe autizmit”.
Ajo shton se në Institutin Kombëtar deri më tash kanë marrë rezultate pozitive me fruth nga laboratori për 527 persona, dhe sipas saj, të gjithë kanë qenë të pavaksinuar.
“Nga 1 marsi i vitit 2017, që kemi ngritur alarmin për hulumtim të rasteve të fruthit, janë përfshirë 737 raste të sëmundjes, derisa laboratorikisht kanë qenë pozitive 527 raste, që kanë lidhje klinike epidemiologjike dhe janë në laborator pozitive. Të gjithë këta persona kanë qenë të pavaksinuar”, sqaroi Humolli.
Infektologët në vend thonë se për 16 vjet me radhë nuk ishin paraqitur raste me fruth në Kosovë, deri në muajin mars të këtij viti, kur kishte filluar të përhapet virusi.
Kjo për shkak se Kosova ka një mbulueshmëri me vaksinim me mbi 95 për qind të popullatës./Radio Evropa e Lirë/
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...