Google ADS

Më shumë se gjashtëdhjetë projektligje presin trajtimin nga deputetët

09:38 | 17 Prill 2018
Arbresh.info

Dështimi i shpeshtë i seancave të Kuvendit dhe marrja me tema të mëdha, e ka lënë prapa legjislativin sa i përket miratimit të ligjeve. Tani kur çështja e demarkacionit është përmbyllur, Kuvendi do duhej t’i kthehej punës së rregullt, vlerësojnë analistët dhe monitoruesit e Kuvendit.

Por, sipas opozitarëve, joserioziteti i mazhorancës dhe mungesa e vullnetit politik, po e pengon legjislativin.

Më shumë se gjashtëdhjetë projektligje presin të trajtohen nga deputetët në Kuvendin e Kosovës. Por, Kuvendi në këtë legjislaturë, ende nuk ka arritur të stabilizohet sa i përket funksionimit normal. Dështimi i shumë seancave ka bërë që të ketë ngecje në përmbushjen e agjendës legjislative. Se ka ngecje të organizimit të punës së Kuvendit, konstaton edhe Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që e monitoron punën e Kuvendit. Ai thotë se Kuvendi duhet t’i kthehet mbajtjes së seancave të rregullta çdo të enjte, në mënyrë që edhe deputetët mos të udhëtojnë jashtë vendit kur ka seanca. Sipas tij, kjo do të ndikonte që edhe komisionet parlamentare të jenë më mirë të organizuara.

“Ka komisione parlamentare në mbledhje ku merr pjesë vetëm një deputet dhe ato dështojnë. Krejt kjo ka bërë që Kuvendi të ketë performancë të dobët dhe të miratojë shumë pak ligje ose të miratojë disa ligje me nxitim, në një seancë të vetme dhe pa një shqyrtim të mirëfilltë”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ngecjen e Kuvendit e ndërlidh me, siç thotë ai, skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie, të cilat thotë se e kanë lënë nën hije punën e Kuvendit të Kosovës, e në të njëjtën kohë kanë penguar edhe funksionimin e komisioneve parlamentare dhe seancave të rregullta.

“Për këtë arsye, ne e shohim se mungesa e seriozitetit, mbi të gjitha e vullnetit politik, por edhe e qasjes së një logjike që problemet të zgjidhen me mënyra antiligjore, në formë të bajraktarizmit të theksuar, tregon qartë se kjo duhet të ndërpritet dhe kjo është duke e penguar edhe organin më të lartë ligjvënës”, tha Zemaj për Radio Kosovën.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se deri më tani Kuvendi është marrë me tema të mëdha, sikur që ishte demarkacioni, por tani kur kjo çështje është përmbyllur, Kuvendi duhet të fokusohet në agjendën legjislative. Sipas tij, dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, ka krijuar probleme, por Mushkolaj pret reflektim nga opozita, kur është në pyetje miratimi i ligjeve.

“Përnjëmend pres që të paktën gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe të rrezikshme, sa i përket situatës politike dhe të sigurisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja të tregohen të përgjegjshme”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Të hënën Kuvendi ka nis një seancë plenare e cila pritet të jetë maratonike, për faktin se në agjendë janë katër interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj, një interpelancë e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, katër debate parlamentare dhe një sërë projektligjesh dhe raportesh të ndryshme. Të gjitha këto pika janë të mbledhura nga seancat e mëhershme të cilat në të shumtën e rasteve janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit./RadioKosova

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme