Google ADS

Mbahet sot seanca fillestare për sulmin terrorist në Banjskë

07:11 | 25 Shtator 2024
E.H

Do të mbahet sot seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë. Seanca pritet të nisë në orën 9:45 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë do të mbahet më 25 shtator, 2024”, ka njoftuar kjo gjykatë.

Një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur i prirë nga ish-politikani Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës. Nga sulmi mbeti i vrarë, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në aksionin e Policisë u konfiskua arsenal armësh. Janë konfiskuar: 1 veturë e rëndë e blinduar; Vetura xhip – 24 copë; motorë 4×4 – 2 copë, mina kundër këmbësorisë – 8 copë; zolla të mbushura – 29 copë; zolla të përdorura – 7 copë; predha minahedhësish 82 mm – 54 copë; predha 62 mm – 88 copë; granata dore – 75 copë; mina anti-tank – 8 copë; eksploziv dinamit – 150 copë; tromblon për pushkë – 9 copë; detonatorë elektrikë – 23 copë; armë e kalibrit të rëndë lansues me nitroglicerinë – 1 copë; armë e gjatë mitraloz – 6 copë; armë e gjatë AK 47 – 30 copë; armë e gjatë me dylbi – 6 copë; armë të shkurtra revole – 3 copë; armë e shkurtër me shurdhues – 3 copë; shurdhues për AK 47 – 18 copë; karikatorë për AK 47 – 235 copë; antiplumba – 21 copë; municion të kalibrave të ndryshme – sasi shumë e madhe; pastaj dronë – 3 copë; pajisje për dron – 1 copë; dylbi nate – 15 copë; dylbi nate me temperaturë – 1 copë; radiolidhje – 32 copë; Kamera 4; këpucë Tactical – 5 palë; çanta ushtarake – 107 copë; uniforma ushtarake 115 copë; mbulojë kamuflazhi – 10 copë; Busull për orientim – 1 copë; harta nga sateliti – 6 copë; harta topografike – 3 copë; telefon 1 copë, maska – 23 copë; kazma – 28 copë; lopata – 20 copë; sëpata – 8 copë; motor sharra – 3 copë; sharra dore – 4 copë; barela për bartje të plagosurish – 2 copë; ushqime të shumta, medikamente mjekësore, telefona smart – 32 copë, sim kartela – 32 copë; dhe euro e dinarë të Serbisë – 1800 kartëmonedha.

Nga ajo kohë deri tash kanë ndodhur shumë zhvillime. Radoiçiq pranoi organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm, ai u hetua në Beograd dhe në Prishtinë ku ndaj tij dhe 44 personave tjerë u ngrit aktakuzë për veprimtari terroriste.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ditë më parë aktakuzë ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e armatosur terrorist në veri të Kosovës, në Banjskë një vit më parë, ku u vra rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas aktakuzës, grupi terrorist me në krye Milan Radoiçiqin, synonin që përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se si grup mirë i organizuar, këtë pjesë të territorit kanë tentuar t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, dhe si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Grupi i përbërë prej 45 personave ngarkohet me “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Prokuroria Speciale ngarkon kreun e grupit, Milan Radoiçiq me veprën penale të “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” pasi i njëjti nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë.

Pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike, pagesën e pjesëmarrësve të grupit, thuhet tutje në aktakuzë.

Radoiçiq ngarkohet edhe me shpëlarje të parave, pasi një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Një ditë më parë u nderua heoi Afrim Bunjaku i cili u vra një vitë më parë në sulmin terrorist. Me këtë rast krerët e shtetit dhe diplomat të huaj kërkuan që përgjegjësit e sulmit të dalin para drejtësisë. Ata i kërkuan Serbisë që ta dorëzon Radoiçiqin që të gjykohet për aktin terroristë, të cilin e ka pranuar se e ka organizuar./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme