Google ADS

Maqedonci dhe Jashari takuan gjeneralin Munsch, diskutuan për sigurinë në vend

17:31 | 9 Tetor 2023
E.G

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar nga komandanti në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

Në këtë takim u bisedua për çështjen e sigurisë në vend, ku Maqedonci dhe Jashari shprehën mirënjohje të thellë për punën, përkushtimin, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është me interes për të gjithë, përcjell Arbresh.info.

Në veçanti, ata shprehën falënderim për mbështetjen e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pas agresionit dhe sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator.

“Ministri Maqedonci theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet si dhe vendosmërinë e palëkundur në rrugën tonë euroatlantike.”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij takimi u rikonfirmua gatishmëria për thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së me KFOR-in, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë./Arbresh.info/

Të ngjashme