Google ADS

Lista Serbe: Nuk qëndrojmë prapa sulmeve ndaj Policisë në veri, Qeveria e Kosovës po e provokojnë situatën

18:17 | 6 Gusht 2022
E.H

Ka reaguar Lista Serbe  pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në reagimin e kësaj partie përmes Facebook thuhet se ata nuk qëndrojnë prapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Zubin Potok, ndaj të cilëve është shtënë 10 herë me armë zjarri.

Nga partia e Goran Rakiqit i kanë cilësuar si provokime deklaratat e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se tashmë është e qartë se strukturat kriminale dëshirojnë t’i vrasin pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të Xhelal Sveçlës dhe Qeverisë nga Prishtina, që synojnë t’i paraqesin njerëzit tanë në veri si të këqinj dhe të krijojnë alibi për veten dhe veprimet e tyre të dhunshme ndaj popullit serb”, thuhet në reagim.

Tutje aty thuhet se është Qeveria e Kosovës është ajo që po “provokon” situatën në mes të serbëve dhe shqiptarëve.

Ata kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se po dërgon njësi speciale atje për të krijuar kaos.

Policia e Kosovës më herët doli me një deklaratë që njoftoi për këtë sulm, duke shtuar se nuk ka mbetur askush i lënduar.

“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, ka njoftuar Policia./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme