Google ADS

Kurti uron Kurban Bajramin, “festën e sakrificës”

06:06 | 20 Korrik 2021
arbresh.info

Kryeministri, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë në festën e sakrificës, Kurban Bajramin.

“Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë”, shkruan Kurti në Facebook.

A shton se është viti i dytë që këtë festë e kalojmë në kushtet e një rreziku global prej pandemisë, gjë që ka pamundësuar edhe pelegrinazhin e haxhit, për shkak të masave shëndetësore të marra nga Arabia Saudite.

“Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet”, shkruan kryeministri Kurti./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme