Kurti: Shtëpia e Rexhep Malës shpallet aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore

19:50 | 11 Janar 2024
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, me rastin e 40-vjetorit të rënies heroike të tyre.

Vizitën e tij në Gjilan, Kryeministri Kurti e filloi tek shtëpia e familjes së Rexhep Malajt, pastaj qëndroi në shtëpinë e familje së Nuhi Berishës, për të vazhduar tutje te shtëpia e vjetër e Rexhep Malajt, e cila me vendim të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku nga sot u fut në kategorinë e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe që në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe familjen Malaj do të shndërrohet në muze.

“Në shekullin XX, Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri, e për bashkim. Andaj edhe ne tregojmë kujdesin tonë për këtë trashëgimi kulturore e cila vazhdon të na frymëzojë, por në të njëjtën kohë edhe na mbushë me përgjegjësi për punët dhe detyrat që i bëjmë gjithnjë në frymën e idealeve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë vizitës në familjet Mala dhe Berisha, kryeministri Kurti, duke rikujtuar veprimtarinë patriotike të dy dëshmorëve tha se ata të cilët i kanë njohur, e kanë punuar bashkë me ta, por në të njëjtën kohë edhe me të tjerë aktivistë të cilët nuk i kanë njohur, frymëzohen e inspirohen prej tyre.

Në fund të vizitës, kryeministri i inkurajoi të pranishmit që të lexojnë librin “Qëndresa”, i cili përmban kujtime nga burgu në të cilin ishte Rexhep Mala, sepse sipas tij janë të përshkruara në mënyrë autentike idealet dhe vuajtjet e tij të cilat kanë qenë në shërbim të popullit dhe brezave që vijnë pas tij.

Sonte në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës organizon akademi përkujtimore për 40-vjetorin e rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, në të cilën merr pjesë edhe Kryeministri Kurti./Arbresh.info

Të ngjashme