Kurti: Sa më e suksesshme Kosova, aq më e dhunshme Serbia

17:49 | 8 Dhjetor 2024
E.H

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur për arritjet e qeverisë së tij gjatë këtij mandati katër-vjeçar.

Ndër të tjera, kandidati për kryeministër nga LVV foli edhe për sulmet e vazhdueshme që Kosova u përball gjatë këtyre katër viteve nga Serbia, shkruan Arbresh.info.

“Prej fillimit të mandatit tonë, Kosova është përballur me një sërë krizash të paprecedent. Një pandemi, një krizë botërore e rritjes së çmimeve, mungesa enorme botërore e furnizimit me energji elektrike dhe një qasje edhe më agresive nga Serbia. Përballa këtyre krizave Kosova është me fat që e ka pasur në krah Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Kurti.

Tutje, kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh se agresiviteti i Serbisë është shkak pasojë të sukseseve të Kosovës.

“Gjithë këtë progres ekonomik e kemi shënuar përball sjelljeve gjithnjë e më agresive të Serbisë, natyrisht kjo nuk është rastësi, sa më të suksesshëm që tregohemi ne, aq më të dhunshëm tregohen ata. Lista e veprimeve agresive nga Serbia është tejet e gjatë. Mes tyre janë barrikadimet në veri të vendit, sulmet të shumta ndaj Policisë, protesta të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, kidnapimi i policëve nga territori i Kosovës, vrasja e heroit Afrim Bunjaku dhe së fundmi sulmi ndaj infrastrukturës kritike”, tha Kurti.

Mes tjerash, Kurti deklaroi se përball këtyre sulmeve, Qeveria ka arritur jo vetëm ta mbrojmë Kosovën por edhe ta bëjë më të sigurt se kurrë më parë dhe kjo fal trefishimit të buxhetit për ushtrinë dhe blerjen e armëve të reja.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme, aktivistët dhe zyrtarët e LVV-së kanë nominuar Albin Kurtin për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025./Arbresh.info

LEXO EDHE:

VV-ja cakton Albin Kurtin kandidat për kryeministër

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme