Kurti për vdekjen e Bujar Nishanit: Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër

17:24 | 28 Maj 2022
KRG

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Kurti me anë të një postimi në Facebook, ka shkruar se Nishani gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar, përcjell arbresh.info.

Ndërsa ka shprehur mirënjohje për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Postimi i plotë:

Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.

I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë. – ka shrkuar Kurti. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme