Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me miratimin në lexim të dytë të projektligjit për buxhetin e vitit 2023.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se ky është buxheti më i larti ndonjëherë dhe më gjithëpërfshirësi në Kosovë, përcjell arbresh.info.
“3.2 miliardë është buxheti i Republikës sonë për vitin e ardhshëm, e që është jo vetëm më i larti ndonjëherë, por edhe më gjithëpërfshirësi.
Kjo nënkupton 3.2 miliardë euro për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën. Mirëpo, mbi të gjitha nënkupton 3.2 miliardë euro për rininë, gratë e grupet e cenueshme të shoqërisë sonë.”, shkroi Kurti.
Kurti theksoi se me këtë buxhet do të investohet për të gjitha fushat, ku përmendi se 300 milionë euro do të investohen në shëndetësi, siguri dhe ushtri, 280 milionë për arsim, 90 milionë për bujqësi, 60 për sport e kulturë dhe shumë investime dhe ndarje tjera buxhetore.
“Rreth 300 milionë euro për investime në shëndetësi, që të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore, si dhe 400 pozita me tepër për stafin shëndetësor.
Rreth 280 milionë euro për arsim, për ndërtimin e çerdheve dhe infrastrukturës së avancuar arsimore, si dhe 743 pozita të reja për stafin arsimor.
Mbi 300 milionë euro për sigurinë dhe ushtrinë, për investime në siguri e armatim modern, si dhe 300 pozita të reja për Policinë.
Rreth 90 milionë euro për bujqësinë, për të vazhduar e për të rritur mbështetjen për fermerët tanë, që të sigurohet prodhimi vendor në këtë kohë krize, por edhe prodhimi vendor në afat të gjatë.
Rreth 60 milionë euro për kulturën e sportin për aktivitete e infrastrukturë kulturore e sportive.
Për të siguruar shërbime publike më të mira e mbrojtje të të drejtave të qytetarëve tanë, do të shtohen 240 pozita të reja për inspektoratet.
Përveç këtyre kemi ndarë buxhet edhe për shumë projekte të tjera e premtime tona. Kemi ndarë 60 milionë euro për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, 15 milionë euro për rezervat shtetërore, 20 milionë euro për punësim, 40 milionë euro mbështetje për investime në ndërmarrje publike, e 6 milionë euro për funksionalizim të terminaleve doganore shtetërore.”, tha Kurti.
Tutje, Kurti përmendi se shumë premtime të tij që është menduar se nuk do të bëhen, tani janë realizuar dhe kështu do të vazhdohet me përmbushjen e tyre edhe vitin e ardhshëm.
“Shumë nga premtimet tona na është thënë se nuk do të bëhen, e se nuk e kemi buxhetin e mjaftueshëm, mirëpo shtesat për lehona e për fëmijë u bënë, çerdhet po ndërtohen, punësimi po rritet, terminalet po bëhen shtetërore e prodhimi vendor po shumëfishohet. Kështu do të vazhdojmë edhe me premtimet e tjera e me buxhetimin e tyre në vitet e ardhshme.”, përfundoi Kurti./arbresh.info
Presidentja ia kthen Kuvendit në rishqyrtim edhe një ligj, a...
Loredana rrëfën ndarjen me Mozzik: Peshoja vetëm 43 kg
Presidentja Osmani kthen për rishqyrtim Ligjin për Mbrojtjen...
Zelensky në Parlamentin Evropian: Rusia është e vetmja që ku...
Katër fitore në pesë ndeshjet e fundit, a po fillon një epok...
Arion për lidhjen me Dianën: Neve po na penalizon për lojë d...