Kryetari i Kamenicës: Ishte e domosdoshme shpallja e gjendjes emergjente, dëmet ishin shumë të mëdha

19:00 | 13 Janar 2021
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shpallur sot gjendje emergjente pas situatës së krijuar nga vërshimet.

Kastrati në Info Magazine, ka thënë që shpallja e gjendjes emergjente ka qenë e nevojshme, pasi dëmet e shkaktuara nga reshjet kanë qenë sipas tij, shumë të mëdha.

“Edhe pse në Kamenicë, ka pasë më pak reshje se në zonat e tjera, prap dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Nuk mbahet mend për dekada që ka pasë kaq shumë dëme të shkaktuar nga reshjet e shiut”.

“Sa kemi arritur të shohim, në krahasim me vendet e tjera, në Kamenicë më shumë është dëmtuar infrastruktura publike. Mbi 7 ura janë të dëmtuara, disa prej tyre fare nuk mund të riparohen as të shfrytëzohen”.

Sipas Kastratit, ekipet komunale dhe ekipet e zjarrfikësve, janë gjatë gjithë kohës në terren për sanimin e problemeve aty ku ka nevojë.

“Sfidat më të mëdha janë qasja, lëvizja, energjia elektrike, uji i pijshëm, por janë ekipet në terren të cilët janë duke bërë punë të madhe. Shfrytëzoj rastin që të kërkoj ndihmë edhe nga qeveria e Kosovës, pasi nuk mund të ia dalim vet, pasi buxheti i komunës është i vogël, duke e pasë parasysh se çfarë dëme janë shkaktuar”, u shpreh Kastrati.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme