Konjufca priti në takim delegacionin e Norvegjisë në APKE, bisedojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

18:46 | 18 Shtator 2023
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim delegacionin e Norvegjisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në përbërje Ingjerd Schou, Lise Christoffersen, Lisa Marie Klungland, Andreas Sjalg Unneland, Anita Helland Kjus dhe Eric Christensen.

Në këtë takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Norvegjisë, me fokus vazhdimin e mbështetjes së shtetit norvegjez ndaj Kosovës në rrugën integruese euroatlantike, shkruan Arbresh.info

Njëherësh u shkëmbyen pikëpamje edhe përkitazi me zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Konjufca e njoftoi delegacionin norvegjez në APKE lidhur me punët e deritashme, sfidat dhe të arriturat e kësaj legjislature.

Gjithashtu i informimoi në lidhje me hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryeparlamentari Konufca theksoi se Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës, meqë sipas tij, i ka plotësuar të gjitha kriteret, duke bërë progres në të gjitha fushat, përfshirë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe ndërtimin e shtetit me standarde të larta demokratike.

Anëtarët e delegacionit norvegjez në APKE e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për pritjen teksa ofruan mbështetje për anëtarësim të Republikës së Kosovës në KiE dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj 2022. Ndërsa më 24 prill 2023, Komiteti i Ministrave me më shumë së 2/3 e votave ka votuar në favor të procedimit tutje të kërkesës për anëtarësim në KiE.”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Të ngjashme