Para disa ditëve, Asambleja e Komunës së Ferizajt, që udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, votoi për dhënien në shfrytëzim të disa objekteve shtetërore, përfshirë edhe çerdhet për 5 vjet. Një nismë e tillë u kundërshtua nga opozita, megjithatë pa sukses. Më 27 shtator, Asambleja e Komunës së Ferizajt votoi pro për të dhënë në shfrytëzim për disa vite, pesë objekte komunale, të cilat do të shfrytëzohen si çerdhe.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj tregon për Arbresh.info, arsyet se pse Komuna ka marrë një vendim të tillë.
“Prej nga viti 2018, që unë u emërova drejtorë i Arsimit, nuk kemi pasur mundësi që çerdhet që i kemi finalizuar dhe ato që i kemi pasur, të i shfrytëzojmë, për shkak të mungesës së shtimit të numrit të stafit në listën e pagave” pohon ai.
Një tjetër arsye shumë e rëndësishëm për marrjen e këtij vendimit, sipas Llabjanit, ka qenë edhe kërkesa e madhe e prindërve për sistemimin e nxënësve në çerdhe.
“Numri i madh i fëmijëve dhe kërkesat e shumta të prindërve për sistemimin e fëmijëve në çerdhe, ka bërë që ne të marrim një vendim të tillë, duke u bazuar gjithmonë në ligjin për zhvillimin e hershëm të fëmijërisë” , thekson ai.
Tutje, Llabjani tregon edhe kriteret që një biznes duhet t’i plotësojë për ta marrë objektin e çerdhes “Engjëjt” në shfrytëzim.
“Kriteret e parapara të dorëzuara në propozim vendim, janë që të jetë një çmim prej 100 euro qira, gjë që ligji e kërkon, kriteri tjetër është që cili oferton me çmimin më të ulët për sistemimin e fëmijëve, do të jetë përfitues, ndërsa një tjetër kriter është që përfituesit të mos i jepet e drejta e çdo gjëje pa bërë bashkëpunim me Drejtorin e Arsimit, lidhur me funksionalizimit dhe mbarëvajtjen e procesit edukativë”, pohon drejtori i Arsimit në Ferizaj.
Sipas tij, ky është një vendim i duhur, duke u bazuar te fakti i kërkesave të shumta nga prindërit për një gjë të tillë.
Ndërsa, Kenan Gashi, drejtor i “AVONET”-it, hedh dyshime për mundësinë që prapa këtij projekti të “fshihet diçka më shumë sesa vetëm mbrojtja e interesit të qytetarëve”.
Sipas tij, në asnjë mënyrë nuk lejohet të privatizohet një shtyllë shtetërore, dhe të kërkohet ndihmë nga institucionet private të Kosovës.
“Ministria e Arsimit është i thirrur dhe i obliguar si shtyllë shtetërore, qytetari i Republikës së Kosovës duhet të marrë shërbimin së pari nga një institucion publik, por jo edhe të lyp ndihmën nga institucionet private” , shprehet ai.
Po ashtu, Gashi thotë se ky vendim, ka shumë dëme dhe pasoja, duke e cilësuar si një vendim aspak i duhur.
“Dëmi dhe pasoja që janë nga ky vendim, rritet kostoja e shfrytëzimit nga prindërit, sepse nuk do të ketë më vlerë 50 euro por do të rritet 100 apo 150 , që do të dëmtohet qytetarin drejtpërdrejte, dhe siguria e tyre nuk është garancion që mund ta ofroj sektori private sepse garantues i jetës dhe mirëqenës janë institucionet e Republikës së Kosovës” , thotë ai.
Gjëja më e rrezikshme në këtë vendim, sipas Gashit, është kostoja e vogël e qirasë në vlerë prej 100 euro në muaj për këtë objekt kaq të madh, gjë e cila mund të bëjë që sektori privatë t’a shfrytëzojë këtë hapësirë për shërbimet e veta.
“Kjo sipërfaqe kaq e madhe mund t’i jepet një operatori ekonomik për 100 euro qira, dhe kjo është rrezik potencial, sepse çdo biznes mund të zhvillojë në këtë hapësirë edhe funksionimi e detyrës private.”
Po ashtu Gashi, akuzon drejtorin e Arsimit në Komunën e Ferizajt se ka abuzuar dhe ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Pas dhënies në shfrytëzim të çerdhes “Engjujt”, Komuna e Ferizajt po mbet me vetëm një çerdhe shtetërore. /Arbresh.info/Qëndresa Luma/
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton