Google ADS

Komuna e Skenderajt përjashtohet nga organizimi për shënimin e Epopesë së UÇK-së

19:01 | 29 Shkurt 2024
E.H

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se është përjashtuar nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare me 5, 6 dhe 7 mars.

Sipas njoftimit, Komuna e Skenderajt ka qenë gjithmonë me punë dhe e angazhuar me përgjegjësi të lartë për organizimin e Epopesë së UÇK-së viteve të kaluara, përcjell Arbresh.info.

Njoftimi i plotë:

Sqarim për opinionin rreth organizimit të Epopesë së UÇK-së

Me keqardhje njoftojmë qytetarët dhe opinionin publik se është hera e parë që Komuna e Skenderajt përjashtohet nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, me aktivitete të ndryshme në Prekaz dhe në qytetin e Skenderajt, pra në territorin administrativ të komunës së Skenderajt.

Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të Epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim.

Epopeja e UÇK-së është ndër ngjarjet më madhështore e cila gjithmonë dhe çdoherë ka personifikuar unitetin, afrimin dhe mirëkuptimin e të gjithë shqiptarëve dhe asesi përqarjen e përjashtimin.

Përkundër kësaj, Komuna e Skenderajt do të vazhdojë që këtë ngjarje ta shënojë me aktivitete të shumta sipas agjendës zyrtare, e cila do të publikohet të premten në faqen zyrtare të Komunës, në rrjete sociale dhe në media./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme